‘Gardhi’ nga Lendita Zeqiraj prezantohet në Palm Springs International Short Film Festival

21 Qershor, 2018 - 10:23 pm

Filmi ‘Gardhi’ nga Lendita Zeqiraj, është përzgjedhur të jetë pjesë e garës zyrtare të edicionit të 24-të të Palm Springs International Short Film Festival & Film Market.

Palm Springs International ShortFest & Film Market mbahet prej 19 – 25 qershor në Palm Springs, ndërsa shfaqja e parë e filmit ‘Gardhi’ me prezencë të një pjese të ekipit të filmit ka ndodhur sonte.

Palm Springs International ShortFest është festivali më i madh dhe më i rëndësishëm i filmit të shkurtër në Amerikën Veriore, me më shumë se 5000 aplikime çdo vit.

Festivali poashtu organizon të ashtuquajturin ShortFest Forum, me një varg panelesh, punëtori dhe diskutime të dizajnuara për filmbërës që t’ju ofrojnë njohuri të reja nga industria e filmit botëror.

‘Gardhi’ është bashkëprodhim i shtëpisë filmike kosovare N’art, Sacrebleu Productions nga Franca dhe Woof Films nga Kroacia, dhe është përkrahur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Cinema Fondacioni – Region Ile De France, dhe me mbështetje nga Komuna e Prishtinës.

Në këtë film luajnë: Arti Lokaj, Ilire Vinca, Adriana Matoshi, Rozafa Celaj, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan, Norik Xhemajli dhe qenushja Nina. / KultPlus.com

Të ngjajshme