‘A house of dynamite’ recension: Më i frikshëm se shumica e filmave horror

3 Shtator, 2025 - 4:00 pm

Regjisorja e “The Hurt Locker”, Kathryn Bigelow, ndërton “një tension të padurueshëm” në një film mbi një raketë bërthamore të nisur drejt SHBA-së. Është një dramë autentike, “magnetizuese” dhe “rrënqethëse”.

Një raketë bërthamore është lëshuar. Askush nuk e di kush e ka nisur, apo nëse mund të vijnë edhe të tjera pas saj, por një gjë është e qartë: nëse nuk ndalet, raketa do të shkatërrojë një qytet të madh amerikan për më pak se 20 minuta.

Çfarë ndodh më pas? Shumica e filmave të Hollivudit do të sillnin një hero të pashëm në këtë pikë, që do të ishte aq superhuman saqë edhe nëse nuk mund ta ndalonte raketën, të paktën do të zbulonte kush ishte përgjegjës dhe do të sillte hakmarrjen.

Por “A House of Dynamite” është drejtuar nga Kathryn Bigelow, fituese e Oscar-it për “The Hurt Locker” (2008) dhe “Zero Dark Thirty” (2012), e cila edhe një herë balancoi mjeshtërisht aftësinë e saj për të ndërtuar tension të padurueshëm me përkushtimin ndaj autenticitetit ushtarak dhe politik të hulumtuar në detaje. Drama që rezulton, e cila pati premierën në Festivalin e Venecias të martën dhe do të publikohet në Netflix në tetor, është më tërheqëse se shumica e thriller-ëve dhe më e frikshme se shumica e filmave horror.

E shkruar nga Noah Oppenheim, ish-president i NBC News, “A House of Dynamite” ndahet në tre pjesë, secila e zhvilluar thuajse në kohë reale pas një hyrjeje të shkurtër. Pjesa e parë vendoset kryesisht në Dhomën e Situatës në Shtëpinë e Bardhë, ku oficerja e detyrës (Rebecca Ferguson) dhe drejtori i lartë (Jason Clarke) përpunojnë informacionin që vjen.

Ndërkohë, në një bazë ushtarake në Alaska, një komandant ekuipazhi (Anthony Ramos) ka detyrën stresuese të lëshojë raketat që mund të kapin atë që po afrohet. Kjo pjesë vendos tonin e shpejtë dhe të ftohtë të filmit. Bigelow dhe Oppenheim nuk shmangin dot të gjitha klishetë e filmave katastrofikë dhe thriller-ëve politikë, titrat me akronimet zyrtare të çdo vendndodhjeje, telefonatat prekëse me të dashurit shtatzëna ose të larguar, por nuk ka fjalime të mëdha, shpërthime emocionesh, apo shaka për të lehtësuar atmosferën. Gjëja më e afërt me një batutë është përdorimi i përsëritur i shprehjes “Have a nice day” kur ne tashmë e dimë se dita nuk do të jetë aspak e këndshme.

Ndërsa ndikimi i mundshëm i raketës afrohet gjithnjë e më shumë, filmi kthehet pas për të treguar ngjarjet nga një tjetër këndvështrim. Këtë herë, personazhet kryesorë janë dy këshilltarë sigurie (Gabriel Basso, Greta Lee) që u japin udhëzime gjeneralëve dhe përpiqen t’i bindin ata të marrin seriozisht këshillat e tyre. Së fundi, pjesa e tretë mbulon të njëjtën kronologji me “orë të rënë”, por nga perspektiva e dy politikanëve të lartë: sekretari i mbrojtjes i tronditur (Jared Harris) dhe presidenti amerikan jovial (Idris Elba). Një minutë presidenti po shtrëngon duart me disa studentë që luajnë basketboll; minutën tjetër ai po futet me nxitim në një makinë e më pas në një helikopter, me “futbollin” bërthamor, ose Çantën e Emergjencës Presidenciale, pranë tij.

Çdo personazh në këtë film të strukturuar ngushtë ka vendime për të marrë, ku të shkojë, me kë të flasë, por vendimet e presidentit janë më të mëdhatë. Në fakt, ato janë vendimet më të mëdha në historinë e njerëzimit. A duhet ai ta përshkallëzojë apo ta de-përshkallëzojë situatën? A duhet të nisë qindra raketa amerikane përpara se ndonjë qytet tjetër të kërcënohet? Apo duhet t’u besojë rusëve kur thonë se raketa nuk është e tyre? Duhet të dëgjojë gjeneralin ushtarak luftënxitës (Tracy Letts), i cili argumenton se të mos bësh asgjë është kapitullim, apo këshilltarin e ri që thotë se çdo veprim do të ishte vetëvrasje? Një nga pikat që thekson filmi është se pasiguria është kudo, sepse secili prej të përfshirëve ka vetëm fragmente të informacionit dhe ekspertizës përkatëse. Një tjetër pikë është se presidenti ka më pak ekspertizë dhe informacion se të tjerët. Potusi i Elba-s është i ri në detyrë, ndaj sa i kualifikuar është ai për të vendosur nëse duhet apo jo të shtypë butonin e kuq? Ka një sekuencë komike në errësirë ku ai shfleton një dosje me “opsionet e hakmarrjes” që nuk i ka studiuar kurrë më parë. Për të, thotë ai, duket si një menu restoranti.

Megjithatë, “A House of Dynamite” është larg të qenit komedi, pavarësisht jehonave të satirës bërthamore klasike të Stanley Kubrick Dr Strangelove (1964). Dallimi kryesor mes dy filmave është se askush në “A House of Dynamite” nuk është budalla apo i çmendur. Askush nuk bën gabime katastrofike. Përkundrazi, të gjithë në ekran janë profesionistë jashtëzakonisht kompetentë dhe racionalë, dhe emergjenca me të cilën përballen është planifikuar dhe trajnuar më parë. Pyetja shqetësuese është nëse gjithë ai planifikim dhe trajnim do të vlente vërtet diçka nëse një raketë bërthamore do të ishte me të vërtetë në rrugë./BBC/KultPlus.com

Të ngjajshme