Abdurrahman Shala, eprori i dikurshëm i një burgu në Prishtinë, që ndali vrasjet e shqiptarëve

25 Tetor, 2021 - 7:57 pm

Më 25 tetor të vitit 1922 lindi Abdurrahman Shala. Ai ishte aktor, producent, dhe skenarist filmi i gjeneratës së parë në kinematografinë kosovare. Shala punoi si drejtor i parë i studios së parë filmike të Kosovës, të quajtur Kosovafilmi. Ai gjithashtu themeloi dhe udhëheqi Unionin e Artistëve të Filmit të Kosovës deri në vitin 1990.

Në librin ‘Vdekja e kolonisë’, shkrimtari Ibrahim Berisha sjell detajet të panjohura të aktorit të madh shqiptar, Abdurrahman Shala.

Shala, në fund të Luftës së Dytë Botërore, si partizan dhe si epror në një burg të Prishtinës, kishte ndal rutinën e vrasjes së shqiptarëve.

Këtë detaj e gjeni më poshtë

“Abdurrahman Shala, si ishte ndryshe?

Janë pak njerëz në Kosovë, të cilët aktorin e madh kosovar Abdurrahman Shala e njohin ndryshe. Siç ishte brilant në disa role filmi e dramash, ishte dinjitoz edhe në dramën e Luftës së Dytë Botërore.

Në librin ‘Vdekja e kolonisë’, shkrimtari Ibrahim Berisha shkruan për guximin e madh të Abdurrahman Shalës, i cili ua shpëtoi jetën qindra shqiptarëve nga partizano-çetnikët në fund të Luftës së Dytë Botërore. Fragmentin emocionues nga ky libër, po e sjell të plotë.

‘Nëpër burgjet e improvizuara sikur ai ku tash ndodhet Rilindja në Prishtinë afër Kuvendit të Kosovës, shqiptarët nuk regjistroheshin. Ata në një dhomë shënoheshin vetëm si numër. 20 veta, 22 veta e kështu me radhë. Aq sa pushkatoheshin natën, aq silleshin në mëngjes. Numri ishte gjithnjë i njëjtë.

Kjo kishte ndodhur disa muaj edhe në Prishtinë, derisa në këtë burg këtë masakër e kishte ndërprerë Abdurrahman Shala, i cili ishte sjellë epror. Ky që do të jetë artist më vonë, kishte shpëtuar qindra jetë, pasi që ditën e parë kur erdhi bëri regjistrat me të burgosurit.

Rexhep Bollogoshi që kishte jetuar deri në vitet tetëdhjetë më kishte rrëfyer: ‘Erdhën me uniforma, si përherë natën vonë. Në dhomë ra vdekja. Emrat që aty thirreshin, do të thoshte se atë natë ata bëheshin emra të vdekurish. Thirri emrin tim. M’u zu fryma. Nuk munda të flas as po as jo. Që atë çast unë isha i vdekur. Ishte një me emrin… I trishtuar, kishte menduar se gardiani thirri emrin e tij. Luftova kot me veten. Të ngritem dhe të them unë jam Rexhep Bollogoshi. Nuk mundja. Atë e morën në vend timin se ish i hutuar dhe kishte menduar se thirrën emrin e tij. Nuk u kthye kurrë më, unë mbeta gjallë, jetoj…’.

Rezak Shala, vëllai i Abdurrahmanit ishte po aq dinjitoz. Pas demonstratave të vitit 1968 në Kosovë, ishte i pari që në forumet më të larta politike, publikisht kërkoi statusin e Kosovës Republikë.

Me lexuesit e mi dhe studentët e gjeneratës së viteve tetëdhjetë, dua të ndajë një kujtim që nuk harrohet kurrë. Shërbimi Sekret serb, përmes mënyrës së lashtë, shpifjeve ‘vesh më vesh’, mbillte dezinformata se ishte Rezak Shala gardiani, i cili në vitin 1968 mbrapa perdeve pengoi statusin e Kosovës Republikë!

Abdurrahman Shala u lind më 25 tetor të vitit 1922 në Vushtrri dhe i përket gjeneratës së parë të kinematografisë kosovare. Ishte aktor, producent e skenarist filmi. Ishte drejtor i parë i studios së parë filmike ‘Kosovafilm’ dhe themeloi e udhëhoqi disa vjet Unionin e Artistëve të Filmit të Kosovës (UAFK).

Abdurrahman Shala ndërroi jetë më 9 mars të vitit 1994. Presidenca e Republikës së Kosovës në vitin 2014 e dekoroi me urdhrin: Medalja Presidenciale e Meritave”, ka shkruar Mjeku. / KultPlus.com

Të ngjajshme