Adem Mikullovci, artisti që gjithë jetën ia kushtoi popullit të Kosovës

17 Shtator, 2020 - 5:19 pm

Ky vit duket sikur erdhi vetëm për të marrë artistët më të mirë që kishim. Iku edhe Adem Mikullovci. Iku për t’u përjetësuar gjithmonë përmes veprave që la pas vetes, vepra këto që filluan qysh në kohët më të vështira për popullin e Kosovës e vazhduan deri sot e kësaj dite, e ndoshta disa prej tyre akoma gjejnë vend në aktualitetin e shoqërisë së sotme kosovare, shkruan KultPlus.

Adem Mikullovci ka qenë një artist i popullit, i cili parreshtur ka punuar për popullin e Kosovës. Arti i tij nuk ka qenë vetëm një satisfaksion individual, ai ka punuar vazhdimisht duke shfrytëzuar artin e tij për të hedhur dritë mbi të këqijat që janë pjesë e këtij vendi, ka realizuar seriale e filma që kanë ardhur si një formë revolte e kundërshtimi për mendësinë e popullit tonë. Arti i tij gjithmonë ka përçuar mesazhe të fuqishme.

‘Po e lëshoj perden, dhe po i fiku dritat….Teatri i jonë Leze-u mbyll’, ishin këto fjalët që qarkulluan më së shumti në rrjetet sociale. Këto fjalë të shkruara aq thjeshtë por që aq shumë e përshkruajtën dhimbjen e madhe që Adem Mikullovci pati me vdekjen e Leze Qenës, duke u mbyllur kështu një epokë e artë e artit teatral. Mirëpo, e vërteta nuk qëndron kështu sepse arti i tillë është, jeton e përjetësohet me shekuj e shekuj, duke i dhënë frymë secilit artist edhe pas vdekjes.

Teatri i Ademit, i Lezes, i Xhevatit, Shanisë e shumë të tjerëve, nuk u mbyll, ai veçsa ka marrur një formë tjetër, duke emëruar vetveten si Epoka e Artë e Teatrit të Kosovës.

Adem Mikullovci bënë pjesë në plejadën e aktorëve të ish-Teatrit Popullor Krahinor i Kosovës( tashmë Teatrit Kombëtar i Kosovës ). Pas ndërprerjes së studimeve në Akademinë për Teatër dhe Film në Beograd në vitin 1968 kthehet në Prishtinë dhe fillon punën në teatër. Prej atij viti (1968) e deri në korrik të vitit 1990, Adem Mikullovci bëri një karierë me 45 role kryesore si dhe rreth 70 role të dyta në shfaqje teatrore. Rolet më të dalluara i realizoi në shfaqjet: “Duke pritur Godonë”,”Po shkoj për gjah”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta” me rekord shikueshmërie(nganjëherë me nga dy shfaqje në ditë), “Fundi i botës”, “Miza në vesh”, “Erveheja” etj. Mikullovci gjithashtu ishte regjisor i disa shfaqjeve në teatër, si: “Pas vdekjës”(Çajupi), “Mosha e bardhë”(D.Agolli), “Dan Shejtani”, “Engjulli i stacionit”, monodrama “Bihorasit”(dramatizim i veprës së autorit Q.Sijariq), “Ti mos u përziej”, komedia Adem mikullofci vdiq Më “Shtrati”, stend up komedia “Përgjuesi” etj.

“Kësi soji e kalova rrugën e jetës time. E kalova rrugën e jetës time dhe erdha te fundi. Dhe kur ndalem dhe shikoj rrugën që kam kaluar, e shoh një rrugë plotë gropa, plotë hendeqe, baltë, lloqkovinë, breshër, shi, aty këtu ndonjë lule që ka çelë në jetën time. Ndonjë lule e dobët, që pika e parë e shiut që i ka ra e ka plandosë për tokë. Për mu jeta ka qenë, s’po ankohem, por po mundohem ta flas të vërtetën, shumë shuplaka. Dhe jeta e çdo njeriu është më tepër shuplaka se sa puthje”, ishte shprehur njëherë Mikullovci në një intervistë për Oral History Kosovo.

Kishte ardhur koha kur ai duhet të vendoste për fushën e studimeve. Familjarët propozonin drejtime të ndryshme, ndërkaq ai do të bëhej aktor, krejt ndryshe nga pritshmëritë e tyre.

“Im at thoshte, “Avokat, avokat le të bëhet thiu se i bluan goja si gjakalla e mullinit edhe dynjenë do ta bëj kahre”. Ndërsa nana ime e ndjerë thoshte, “Doktor, doktor. Është hall ligë e ndoshta ia gjenë ilaçin vetit”. Bile, bile, e kom këta të sigurt, pastruesi, lustruesi i këpucëve që ishte në mahallën tonë edhe ai u përzi në këtë muhabet çka me studiu unë”, tregonte studiuesi i teatrit dhe filmit.

Ai kishte dorëzuar dokumentet e tij në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd dhe pasi që s’e kishte kaluar provimin, i kishte dorëzuar ato në Akademinë për teatër dhe film. Ndërkaq, përgjatë kësaj kohe e kishte ndihmuar ai që më vonë do të bëhej kolegu i tij, Bekim Fehmiu.

“Vjen me lypë e më gjenë mu. Dolëm me një kafe, më qiti në sitë e në shoshë, “Pse po du mu bo aktor…” I thashë, “Nuk e di”. Tha Bekimi, “Shumë mirë, se edhe unë nuk e di pse jam bërë aktor”, rrëfente tutje Mikullovci për bisedën me Bekim Fehmiun, përcjellë KultPlus.

Guximi i Adem Mikullovcit në miratimin e Deklaratës Kushtetuese të vitit 1990

Miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit.

E mes shumë delegatëve që morën pjesë në miratimin e Deklaratës Kushtetuese, ishte edhe Adem Mikullovci.

KultPlus ju sjell videon e fjalimit të Adem Mikullovcit ku shihet në foltore në këtë ditë të rëndësishme të historisë së Kosovës. Video është marë nga faqja zyrtare e Adem Mikullovcit, e që është xhirim i RTP-së së atëhershme.

https://www.facebook.com/ademmikullovciofficial/videos/1306153536119843/

Përpos filmave që e bënë atë shumë të njohur, ai goditi thellë në shoqërinë tonë të atëhershme me dy serialet e famshme: ‘Mahmutovitë dhe Rexhepovitë’ si dhe me ‘Katundarë e sheherli’

Mahmutovitët dhe Rexhepovitët janë dy familje të njohura në krahinën “Llap e Gollak”. Këto dy familje të mëdha janë të njohura si trima, të fortë, bujarë e Belagji! Këto dy familje, Mahmutovitët dhe Rexhepovitët, ka shekuj që janë në hasmëri, edhe pse kurrë nuk janë vrarë mes vete.

Mesazhi i gjith këtij seriali është që Shqiptarët të mos vriten mes vete, siq thot the vet Adem Mikullovci i cili thot kshtu: “Mahmutovitë dhe Rexhepovitë ka gjithkund, në secilin lagje, në secilin fshat, në secilin qytet etj,”.

Një serial ky që luftonte hasmërinë, përçarjen e familjeve kosovare mes vete.

Po këtë mesazh përçonte edhe ‘Katundarë e Sheherli’, që trajtonte jetën e dy familjeve komshinj, njëra nga fshati dhe tjetra nga qyteti i Prishtinës. Mosmarrëveshjet e problemet që lindnin nga mendësia e atëhershme dhe situata komike e bënë këtë serial shumë të pëlqyeshëm për publikun. E nuk kishte si të mos përçonte mesazhe të fuqishme edhe ky serial, i realizuar dhe i menduar aq mirë saqë sikur shumica e realizimeve të Mikullovcit, me shuë gjasë edhe ky serial do të zinte vend edhe në aktualitetin e sotëm.

Ndër filmat më të fuqishëm për nga përmbajtja dhe tema që trajtonte, është filmi ‘Një pallto për babain tim në burg’, i realizuar nën regjinë e Mikullovcit. Ky film, më mirë se çdo gjë tjetër, shpalos tmerrin që shqiptarët përjetuan nga regjimi serb. Filmi është realizuar në vitet e 90′ në mënyrë të fshehur. Ky film ka përcjellur shumë gjenerata, e shumë të tjerë e përjetojnë në mënyra të ndryshme pasiqë erdhi në një kohë të vështirë për kosovarët. Një film ky që do të lë gjurmë të mëdha në konematografinë kosovare.

Adem Mikullovci ishte më shumë se artist, ishte frymëzim për gjithë secilin. Në kohët më të vështira për Kosovën, ai ishte afër popullit të tij. Ademi iku për në botën tjetër, mori pas vetes dashurinë e madhe të publikut, por la shumë më shumë, la veprën e tij të pavdekshme. / KultPlus.com

Të ngjajshme