“Adnan Kafazi” nga janari në kinema, Sllamniku: Pëlqimi i madh nga publiku na shtyu ta realizojmë pjesën e tretë

13 Tetor, 2022 - 10:30 pm

Filmave shumë të pëlqyer shqiptarë ‘Zonjusha’ dhe ‘Diamanti’ tashmë do t’u shtohet edhe pjesa e tretë ‘Adnan Kafazi’ i cili do ta ketë premierën në janar të vitit 2023, por që traileri është shfaqur para mediave sot në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ky film tematikë kryesore ka rrëzimin e Adnan Kafazit nga pushteti i një gangsteri, që ka nën kontroll të gjithë qytetin.

“Në barin e tyre në Meksikë, banda, Vuça, Bulli, Zagi dhe Lina po kalojnë kohën me të mire të jetës pasi kanë shitur një diamant 7 milionë dollarësh. Brenda dy viteve të mungesës së tyre, në vendlindje, shfaqet një bos i ri i krimit Adnan Kafazi, i cili ka marrë udhëheqjen e nëntokës. Një prej veprimtarive të tij është edhe trafikimi i qenieve njerëzore, konkretisht grave. Banda vendos të kthehet në Kosovë. Natyrisht, ata e kuptojnë se Adnani është shumë më i fortë se ata dhe mënyra e vjetër e luftimit të gangsterëve nuk do të funksionojë, dhe në këte menyrë rrezikojnë jetën e tyre.”, thuhet në sinopsisin e filmit.

Përveç anës argëtuese që ka qenë karakteristikë në dy filmat e parë, në filmin ‘Adnan Kafazi’ janë trajtuar edhe disa elemente të fenomeneve negative në shoqërinë tonë siç  është trafikimi i qenieve njerëzore. Po ashtu në këtë film trajtohet edhe fuqizimi i gruas në tërësi.

Në një konferencë për media bashkë me një pjesë të aktorëve, skenaristi dhe producenti, Besart Sllamniku tha se plani i këtij filmi ka qenë që të zhvillohet qysh para dy viteve, por për shkak të pandemisë dhe të disa problemeve të kohës është dashur që ta shtyjnë por që në fund është realizuar.

“Filmi ‘Adnan Kafazi’ është një film të cilin bashkë me ekipin e kemi ngritur në një nivel më lart sesa dy filmat e parë, kanë lidhshmëri, por është një film që mund ta ndjekin edhe ata që s’i kanë parë dy filmat e parë”, tha Sllamniku duke përmendur tutje se shtysë që ky film të realizohet ka qenë pëlqimi i madh që njerëzit kanë pasur për dy filmat paraprakë.

Megjithatë, filmi sipas skenaristit dhe producentit, për dallim nga dy pjesët e para, përveç që trajton më shumë se sa një vijë dramaturgjike, nuk ka vetëm komedi dhe krim, por edhe dramë, aksion dhe muzikë.

“Kësaj here kemi vendosur që ta plotësojmë me disa vija ekstra dramaturgjike duke e ditur që filmat ‘Zonjusha’ dhe ‘Diamanti’ e kanë pasur vetëm një vijë dramaturgjike apo vetëm një tregim kurse kësaj here jemi munduar që të arrijmë më shumë se dy tregime në film që është një pasuri dhe një plus dramaturgjik.”, u shpreh më tutje Sllamniku.

Ndërkaq në këtë konferencë foli edhe regjisori i filmit, Genc Berisha, i cili fillimisht u shpreh i lumtur për bashkëunimin me producentin dhe aktorët.

“Përveç anës artistike, është zgjeruar edhe ekipi i filmit, është zgjeruar edhe ekipi teknik edhe ajo mrapa kamerës, pra teknikisht jemi më lart sesa filmat e kaluar “, tha Berisha i cili mes tjerash shtoi se ka pritshmëri të larta që ky film do të pëlehet shumë.

Ju kujtojmë që në këtë film luajnë aktorët Armend Baloku, Besart Sllamniku, Muhamed Arifi, Ylber Bardhi, Dukagjin Podrimaj, Edona Reshitaj, Armond Morina, Arta Muçaj, Shkumbin Istrefi, Fatmir Spahiu, Xhejlane Tërbunja, Ernest Malazogu, Lulzim Bucolli, Edita Sllamniku, Blin Sylejmani, Arjanit Mermullaku, Rita Krasniqi.

Ndërkaq kastër së aktorëve kësaj here u janë shtuar edhe dy aktore nga Shqipëria, Alesia Xhemalaj dhe Olimpia Smajlaj. Po ashtu, në cilësinë e mysafirëve specialë, filmin e pasuruan edhe këngëtarët Dafina Zeqiri dhe Kastriot Rexha./ KultPlus.com

Të ngjajshme