Aktori Artan Imami feston 60-vjetorin e lindjes

11 Shkurt, 2021 - 11:02 pm

Artan Imami është aktori i njohur shqiptar i cili feston sot 60-vjetorin tij të lindjes.

Artisti u lind në qytetin e Tiranës më 11 shkurt të vitit 1961. Në vitin 1983 aktori përfundoi studimet në degën e artit dramatik pranë “Akademisë së Arteve të Bukura” në Tiranë dhe për shkak të rezultateve teje të larta dhe falë talentit të tij të rrallë ai menjëherë emërohet si aktor pranë trupës profesioniste të “Teatrit Popullor” sot “TK”.

Shfaqja që i dha artistit edhe mundësinë e katapultimit në kategorinë e aktorëve më të vlerësuar, ishte pikërisht shfaqja e Shekspirit me titull “Zbutja e Kryeneçes”. Pak vite më vonë ai do të interpretonte në mënyrë të jashtëzakonshme rolin e Kostandinit në veprën shqiptare “Kush e solli Doruntinën”, rol me të cilin u evidentuan aftësitë e rralla pantomimike, botëkuptimi i personazhit dhe zbërthimi psiko-analitik i tij, të cilët bënë që edhe sot kjo vepër e rrallë të identifikohet me aktorin Artan Imami.

Në vitin 1996, Imami u tërhoq nga skena për arsye që edhe sot ngelen të paqarta, por gjithsesi vitet 2000 do ta rikthenin sërish në skenën e teatrit për të vazhduar edhe deri në ditët e sotme ku hera-herës e shohim të ngjitet në skenë për të interpretuar. Në këtë periudhë rikthimi Artan Imami ka qenë shpeshherë edhe në pozicionin e regjisorit të veprave të ndryshme ku ai ndonjëherë edhe interpreton si aktor.

Aktori Imami ka dhënë kontributin e tij edhe në kinematografi. Disa nga rolet e tij më të mira janë: “Me hapin e shokëve” 1979, “Nata e parë e lirisë” 1984, “Bardh e zi” 1991, “Zbutja e Kryeneçes”, “Kush e solli Doruntinën”, “Don Zhuani” etj. /ata/ KultPlus.com

Të ngjajshme