Aktori Daniel Dae Kim konfirmohet me koronavirus

20 Mars, 2020 - 1:30 pm

Daniel Dae Kim, më së miri i njohur për rolin e tij në serinë “Hawaii 5-0”, e ka konfirmuar lajmin të enjten se ka rezultuar pozitiv me koronavirus, transmeton Koha.

Kim, i cili po qëndron i izoluar në shtëpinë e tij në Hawaii, e informoi publikun për gjendjen e tij përmes një videoje të postuar në Instagram.

“Dje, jam diagnostikuar me COVID-19, sëmundje kjo e shkaktuar nga koronavirusi. Besoj se do të jem në rregull, por doja ta ndaja me ju rrugëtimin tim, me shpresë që do të iu ndihmojë të informoheni sa më shumë. Uroj të jeni mirë me shëndet, të qëndroni të sigurt dhe të qetë gjatë kësaj situate,” ka deklaruar Kim.

Aktori 51-vjeçar po ashtu ka treguar se së fundmi kishte udhëtuar drejt New Yorkut për ta xhiruar një seri televizive, dhe ishte kthyer në Hawaii kur ishte ndërprerë puna në këtë projekt si pasojë e pandemisë. Pak kohë më vonë, ai kishte filluar të sëmuret dhe ishte vetizoluar menjëherë. Deri në kohën kur ka vendosur të testohet, aktori veçse kishte filluar të ndihet më mirë.

Kim e ka luajtur rolin e policit Chin Ho Kelly në serinë, “Hawaii 5-O” dhe po ashtu shquhet për rolin e peshkatarit korean të shndërruar në vrasës, Jin-Soo Kwon, në serinë e njohur televizive, “Lost”.

Daniel Dae Kim, i bashkohet listës së aktorëve të cilët e kanë bërë të ditur lajmin se janë prekur me koronavirus si: Tom Hanks, Idris Elba, Kristofer Hivju dhe Olga Kurylenko. /KultPlus.com

Të ngjajshme