Aktori kosovar Florist Bajgora, pjesë e serialit “Gangs of London”

11 Korrik, 2019 - 1:56 pm

Jeta Zymberi
Fotografitë: Jetmir Idrizi

Aktori tashmë i dëshmuar kosovar Florist Bajgora i cili numëron një numër të konsiderueshëm të roleve në filmat si: Kiem Holijand, The Remigrant, Far, Ajo, Babai, Kali, Shpata prej drurit, e po vazhdon fuqishëm rrugën drejt aktrimit, por gjithmonë me synimin që talenti i tij të shihet në ekrane të mëdha e të prezantohet në festivale të njohura botërore, shkruan KultPlus.

Ai tashmë ka marr vëmendjen e merituar dhe ofertat e reja nuk po mungojnë.

Florist Bajgora përmes një statusi në Facebook ka bërë të ditur që është bërë pjesë e serialit “Gangs of London”, një seri e ardhshme britaniko-amerikane e aksionit. Pas përfundimit të serialit më të famshëm në botë “Game of Thrones” është lëshuar teaseri i “Gangs of London”, i cili pritet të jetë një prej serialeve më të shikuara në të ardhmen e afërt.

Sipas burimeve të KultPlus, aktorit kosovar Florist Bajgora ka fituar një rol interesant në këtë serial ku pritet të marr vëmendje.

 ‘Gangs of London’, është vendosur në një nga qytetet më dinamike dhe multikulturore të botës, i cili është copëtuar nga betejat e trazuara kundër bandave që e kontrollojnë atë, vakumi i krijuar nga kreu i një organizate krimi kërcënon paqen.

Seria u krijua nga Gareth Evans dhe Matt Flannery, me Evansin në shumicën e episodeve përfshinë skena komplekse koreografike të luftës, për të cilat edhe është bërë i njohur.

Corin Hardy (The Monkey, The Halloë) do të marr rolin në tre nga dhjetë episodet, së bashku me regjisorin francez Xavier Gens (Hitman, The Divide), i cili do t’i xhirojë dy episode.

Ajo çka vlen të ceket është fakti se në këtë serial pjesë e kastës së aktorëve do të jenë edhe aktorë të ‘Peaky Blinders’ dhe prej serialit ‘Game of Thrones’ të cilët për momentin konsiderohen aktorët më të famshëm botërorë e përkrah të cilëve tashmë do të ketë rastin të luaj edhe aktori kosovar Florist Bajgora.

Seria është një bashkëprodhim i HBO / Sky me Pulse Films dhe Sister Pictures dhe është (për një marrëveshje prej 250 milionë dollarësh) të vendosur për Cinemax dhe Sky Atlantic të HBO-së, që u raportua së pari në nëntor 2017.

Kujtojmë që Bajgora në vitin 2017 ishte në mesin e talentëve në ‘Sarajevo Film Festival’. Ndërsa në muajin shkurt të vitit 2018, filmi “Kiem Holijand”, me regji të Sarah Veltmeyer nga Holanda, aty ku luan edhe Florist Bajgora, u shpërblye me “Ariun e Kristaltë” në Berlinale”. Po këtë vit, po i njëjti film u shfaq në Palm Springs International ShortFest, duke bërë që ekrani i këtij festivali prestigjioz të mbërthehet nga aktorët shqiptar, ku përkrah Floristin luan edhe vëllai i tij Andi Bajgora.

“Gangs of London” pritet të jetë një sukses i madh për Bajgorën e ndoshta edhe një fillim i ri drejt një suksesi të ëndërruar nga secili aktorë. / KultPlus.com

Të ngjajshme