Aktorja shqiptare, Luana Bajrami pjesë e filmit të bazuar në romanin e nobelistes Annie Ernaux (VIDEO)

6 Tetor, 2022 - 1:43 pm

Sapo është ndarë çmimi ‘Nobel’ për Letërsi për vitin 2022. Këtë vit çmimi shkoi për shkrimtaren franceze, Annie Ernaux, shkruan KultPlus.

Annie Ernaux është një shkrimtare dhe profesoreshë franceze e letërsisë. Vepra e saj letrare, kryesisht autobiografike, mban lidhje të ngushta me sociologjinë. Ernaux u nderua me Çmimin Nobel 2022 në Letërsi “për guximin dhe mprehtësinë klinike me të cilën ajo zbulon rrënjët, largimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”.

Letërsia e saj shpesh është kthyer në film. Deri më tani katër filma janë realizuar duke u bazuar në librat e Annie.

Por ajo çka na tërhoqi vëmendjen është “Happening”, një film triler dramatik francez i vitit 2021 me regji nga Audrey Diwan, skenar i Diwan dhe Marcia Romano, por i bazuar në romanin e vitit 2000 me të njëjtin emër nga Annie Ernaux.

Në film luajnë Anamaria Vartolomei dhe aktorja shqiptare Luàna Bajrami.

Kjo nuk është hera e parë që Luana bëhet pjesë e kinematografisë botërore.

Luana Bajrami kishte rolin kryesor edhe në filmin e regjisores franceze Audrey Diwan, e që i përket viteve 1960 me titull “L’Evenement” (“Po Ndodh”), film ky që fitoi ‘Luanin e Artë’ në Festivalin e 78-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia.

Ndërsa vitin e kaluar, Luana ishte një ndër emrat më të përfolur në kinematografinë shqiptare pas suksesit me filmin “Luaneshat e Kodrës”.

Ky film, në të cilin tre gra të reja dhe shpirtmadhe vendosin t’i shpëtojnë jetës së tyre të përditshme dhe të formojnë një bandë, u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Kanë.

Përpos premierës në Kanë, “Luaneshat e Kodrës”, ka triumfuar edhe në disa festivale të tjera ndërkombëtare, përfshirë Festivalin e Filmit Calgary, Fesivatlin e filmit “Raindance”. / KultPlus.com

Të ngjajshme