‘And Just Like That’, sezoni i tretë i rikthimit të ‘Sex and the City’, do të jetë i fundit

3 Gusht, 2025 - 4:56 pm

”And Just Like That”, vazhdimi i serialit të viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000 ”Sex and the City”, do të mbyllet pas sezonit të tretë, njoftoi HBO, sipas BBC.

Regjisori dhe skenaristi i njohur amerikan, Michael Patrick King shpjegoi në Instagram se ndërsa po shkruante episodin e fundit, ”u bë e qartë se ky mund të ishte një moment i mrekullueshëm për ta mbyllur”.

I emërtuar sipas frazës së famshme të personazhit kryesor Carrie Bradshaw, seriali komedi-dramë ndjek romancat e tre prej katër personazheve origjinale, teksa jetojnë të 50-at e tyre në Nju Jork.

Finalja me dy pjesë nuk është transmetuar ende.

Sarah Jessica Parker, që luan Carrie-n, ndau një montazh fotosh nga të dy sezonet dhe tha se personazhi ”ka dominuar jetën time profesionale për 27 vjet”, por tani ”ky kapitull është i mbyllur”.

Ajo shtoi se ”And just like that” ishte ”gëzim, aventurë dhe puna më e bukur, krahas talenteve më të jashtëzakonshme”.

”Do të më duhet shumë kohë për ta harruar”, shkroi Parker.

”Shpresoj që këto dy episode të fundit t’ju pëlqejnë po aq sa na pëlqyen neve”, shtoi ajo.

Kristin Davis (Charlotte York në serial) tha se “jam thellësisht e trishtuar”.

Fansat shpresonin për një tjetër serial apo spin-off, por King deklaroi se ”rrëfimi në vazhdim i universit të ‘Sex and the City’ po përfundon”.

Shikueshmëria ka rënë gjatë tre sezoneve.

”Episodi i parë u ndoq nga 1,1 milionë familje amerikane, ndërsa të fundit kishin më pak se gjysmën e këtij numri”, sipas Samba TV.

Seriali gjithashtu është kritikuar, veçanërisht për përpjekjet për të diversifikuar kastin.

Revista ”Elle” tha se kjo përpjekje “dështoi”, ndërsa ”The Guardian” e cilësoi si “mbikompensim i rëndë” që tentonte të shlyente mungesën e ndjeshmërisë racore në origjinalin.

Në sezonin e fundit, personazhi Che Diaz – i quajtur “personazhi më i keq në televizion” nga ”The Daily Beast”, u zëvendësua nga një tjetër që punon në BBC./KultPlus.com

Të ngjajshme