‘Anibar’ publikon pesë prezantime ndërkombëtare lidhur me animacionin

17 Korrik, 2021 - 1:31 pm

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit ‘Anibar’, do të fillojë edicionin e tij të 12-të me shumë surpriza të cilat i kanë paralajmëruar ditë më parë. Ndër këto surpriza, janë edhe pesë prezantimet ndërkombëtare që do të shoqërojnë festivalin këtë vit, e që tashmë janë bërë publike, përcjell KultPlus.

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar është bërë urë lidhëse mes Kosovës dhe botës së artit, duke e vendosur Kosovën në hartën e madhe të animacionit, si një shtet me potencial të gjerë artistik e kulturor.

Më poshtë gjeni listën e pesë prezantimeve ndërkombëtare në këtë festival.

“Expanded Animation” nga Jurgen Halger, më 24 korrik në ora 12.00 në Kinemanë Jusuf Gervalla.

Jurgen ka studiuar artin, dizajnin eksperimental vizual dhe studimet kulturore në Universitetin e Artit dhe Dizajnit në Linz, Austri. Ai për momentin punon si profesor në kampusin universitar të shkencave të aplikuara Hagenberk, Austri. Prezentimi ka për qëllim që të shfaq mundësitë e pafundme që ofron bota e animacionit. Për shkak të kufizimeve të udhëtimit, ky prezentim do të shfaqet nga distanca: Jurgen do i flas audiencës virtualisht përmes ekranit.

Në “The journey of a clitoris across the world”, Lori Malépart na çon në procesin e saj krijues dhe udhëtimin e një klitori nëpër botë.

Ajo do të ndajë me ne disa detaje të lezetshme mbi qasjen e saj krijuese duke filluar nga përpjekja e saj e parë në animacion e deri në filmin e saj të parë “The Clitoris” (2016). Ajo do të flasë gjithashtu për projektet e saj aktuale në Bordin Kombëtar të Filmit të Kanadasë. Bashkohuni me ne në 25 korrik në ora 12:00 në Kinema Jusuf Gervalla për të mësuar më shumë rreth rrugëtimit të saj artistik. Lore Malépart do të flasë me publikun vituslisht nga ekrani i kinemasë.

Prezentimi i tretë është “Animated Documentaries” nga Frédéric Schuld.

Ky edicion i festivalit do të mirëpres përsëri Frédéric Schuld për të dhënë një prezantim mbi dokumentarët e animuar. Duke pasur parasysh punën e gjerë që Frederic ka në prodhimin dhe animimin e dokumentarëve, e aq më teper duke marrë me mend trendin e zhvillimit të shpejtë në Kosovë për të dokumentuar ngjarje përmes mediumit të animacionit, ky prezantim me sesionin e pyetjeve dhe përgjigjeve (Q&A) do të ofrojë goxha shumë perspektiva . Frédéric do të flasë për gjëra të tilla si këndet e vështira që kamera nuk mund të kapë dhe për mënyrën se si të vizualizojmë konceptet abstrakte të përvojës njerëzore. Për shkak të kufizimeve të udhëtimit për shkak të pandemisë, ky prezentim do të mbahet gjithashtu virtualisht më 26 korrik në orën 12.00 në Kinema Jusuf Gervalla

Mauro Carraro do të jetë i pranishëm për të mbajtur një prezantim të quajtur “Into 3D Animation”.

Pasi studioi gravurë, fotografi dhe dizajn grafik në Universitetin Politeknik të Milanos, Mauro vazhdoi rrugën e tij akademike në Francë. Në vitin 2010 ai u diplomua në të mirënjohurin “Supinfocom Arles”, ku ai studioi animacionin CG. Tani jeton në Gjenevë, Zvicër, ku punon në studion “Nadasdy Film”. Filmi i tij i parë profesional i animuar me metrazh të shkurtër “Hasta Santiago” u dha si Filmi Debutues më i Mirë në Festivalin e “Annecy” në 2014 dhe mori mbi dymbëdhjetë çmime në të gjithë botën. Ndryshe nga prezentimet e mëparshme, ky do të mbahet me prezencë fizike më 27 korrik në ora 12.00 në Kinema Jusuf Gervalla.

Brooke Keesling është Kryesuesja e Zhvillimit të Talenteve të Animacioneve në ‘Bento Box Entertainment”.

Ajo ka punuar në industrinë e animacionit dhe VFX për dekada si artiste, në prodhim, në arsim dhe në zhvillimin e talenteve. Brooke do të jap një prezentim gjatë edicionit të 12-të të festivalit mbi përvojën e saj si një grua që punon në seri të ndryshme të animuara, duke iu përgjigjur disa prej pyetjeve kryesore se si mund të futemi në biznesin e animacioneve. Si mund ta fusni këmbën në derë? A ka rëndësi shkolla artistike? Çfarë duhet të ketë në portofolin tuaj dhe si të lidheni për të punuar me “peshqit e mëdhenj?”. Me potencialin e zhvillimit të industrisë së animacionit në Kosovë, ky prezentim do të përqëndrohet në komunitetin e industrisë krijuese, duke rritur njohuritë, kapacitetet e tyre dhe duke i barazuar me aftësitë e tregut në këtë fazë të krijimit të një industrie këtu. Brook do ta jap këtë prezantim virtualisht , më 29 korrik në ora 16.00 në Kinema Jusuf Gërvalla. / KultPlus.com

Të ngjajshme