9 Korrik, 2025 - 10:05 pm
Festivali Ndërkombëtar i Animacionit “Anibar” shpalos zyrtarisht përmbajtjen e tre programeve të veçanta të titulluara Palestine Animated, Shorty and Trashy dhe WTF OFF, që këtë vit sjellin në ekranet e Pejës 28 filma nga më shumë se 16 vende të botës, të cilët sfidojnë perceptimin tonë mbi realitetin.
Filmat e përzgjedhur për këto tri programe në këtë edicion të 16-të, eksplorojnë absurditetin njerëzor,
frikën, dhimbjen, shpresën e rezistencën e njeriut edhe atëherë kur ndjehet plotësisht i harruar nga bota.
Ndër to, prodhime të veçanta i japin zë popullit palestinez i cili vazhdon të krijojë art edhe nën kushte
gjenocidiale.
Pjesë e programit “Palestine Animated” janë 8 filma që ofrojnë një pasqyrë të realitetit në Palestinë dhe
përballjes së përditshme me terrorin e luftës. Filmi “Night” përçon vuajtjen e një nëne që pret kthimin e
djalit të saj, kurse “The Tower”, është një rrëfim i ndjerë për jetën në kampet e refugjatëve, i treguar
përmes syve të një vajze të vogël.
Filmi “Grandmother wore us out” është një animacion i krijuar nga artistë të rinj në bashkëpunim me
UNRWA-në. Pastaj “Uncle, Give Me a Cigarette” frymëzohet nga jeta e shkrimtarit palestinez Walid Daqqa dhe eksploron betejat e burgosjes. “Mariam”, ekranizon një histori për trashëgiminë kulturore si formë e qëndresës ndaj humbjes dhe dhunës.
Po ashtu përfshihen edhe “Memory of the Land”, “Limitless” dhe “Zoo”, që trajtojnë temat e lirisë së
kufizuar dhe përballjes me realitetin e ashpër.
Në anën tjeter, Programi “Shorty and Trashy” kuruar nga Miyu Distribution shpalos filmat si “Animals”
nga Danimarka, ku një udhëtim i zakonshëm në metro shndërrohet në një betejë për mbijetesë. “The
Night I Dance with Death”, është një eksplorim i frikës së brendshme përmes një udhëtimi psikedelik
ndërsa në “Deadman’s Reach”, shfaqet udhëtimi i një burri ne një shkretëtirë pas një dashurie të
humbur.
Nga programi “WTF OFF” do të shfaqen gjithsej 12 filma përfshirë “Little Donnie” apo kukulla e
animuar Donald Trump që terrorizon vendin, “Corn Man” një njeri misri që lufton me rosa, dhe
“Satellite Jockey – Paix Sociale”, që e paraqet presidentin francez Emmanuel Macron si një valltar
diskoje, vampir-bankier dhe si një ekstremist i skijimit në ujë.
Këto janë vetëm disa nga shumë udhëtimet në tema që kanë në qendër shumë pikëpyetje të realitetit tonë.
Peja do të jetë nikoqiri juaj nga 14 deri më 20 korrik./ KultPlus.com