26 Qershor, 2025 - 10:29 am
Edicioni i sivjetmë i festivalit të animacionit, Anibar, kthen sytë kah vetë thelbi i këtij mediumi: si një formë arti që flet për ne, për botën dhe për kohën në të cilën jetojmë.
Përmes një programi të përzgjedhur me kujdes nga kuratorët Petrit Gora, Vita Kasapolli dhe Panot Mahmutaj, ky edicion sjell një rrugëtim filmik të pasur, të shumëllojshëm dhe gjithnjë aktual.
1504 aplikime nga 111 shtete, 162 filma të përzgjedhur nga 51 shtete, 6 gara dhe 3 kategori jo-garuese!
Programi përfshin dimensione kryesore: kategoritë garuese dhe ato jo-garuese, që bashkë përmbledhin eksperimentimin, ndjeshmërinë, realitetin dhe guximin e animacionit bashkëkohor.
KATEGORITË GARUESE
Gara Ndërkombëtare – 19 filma nga vende të ndryshme që flasin përtej gjuhës, përmes ngjyrës, lëvizjes dhe emocioneve universale.
Gara Studentore – 27 filma të rinjsh që eksperimentojnë me forma të reja dhe sfidojnë normat, duke sjellë ide të freskëta dhe të fuqishme.
Gara Ballkanike – 7 filma nga zemra e rajonit që pasqyrojnë Ballkanin me gjithë shpirtin, tensionin dhe humorin e tij të veçantë.
Gara e Video Animacioneve Muzikore – 10 krijime që shndërrojnë tingullin në pamje, duke e vendosur muzikën si bashkë-krijuese të narrativës vizuale.
Gara e Audiencës së Re – 31 filma për ata që e përjetojnë çdo gjë për herë të parë, ose për ata që nuk e kanë harruar ndjesinë e habisë.
Gara për të Drejtat e Njeriut – 7 filma që trajtojnë drejtësinë, barazinë dhe dinjitetin njerëzor me ndjeshmëri dhe forcë.
KATEGORITË JO-GARUESE
Këto kategori ofrojnë hapësirë për eksplorim dhe dokumentim, përtej konkurrencës, por jo përtej rëndësisë artistike.
Kategoria Eksperimentale – 13 filma që thyejnë rregullat për të gjetur gjuhën e vet unike; një ftesë për të menduar animacionin ndryshe.
Kategoria e Dokumentarëve të Animuar – 5 filma që përdorin animacionin për të treguar të vërteta të thella, kujtime të turbullta dhe emocione të papërkthyera në imazh konvencional.
Kategoria e Punëve të Kontraktuara – 24 krijime komerciale që tregojnë se arti mund të jetojë edhe përmes reklamave, trailerëve dhe projekteve të porositura, duke tejkaluar shpesh pritshmëritë.
Ky program filmik reflekton mënyrën tonë për ta kuptuar dhe jetuar animacionin sot. Të gjithë janë të ftuar të përjetojnë një javë të veçantë, ku filmat vijnë herë të qeta, herë të zhurmshme, por gjithmonë të sinqerta./ KultPlus.com