30 Korrik, 2025 - 12:26 pm
Sot, më 30 korrik 2025, aktori legjendar, ish-kulturisti dhe politikani Arnold Schwarzenegger feston 78-vjetorin e lindjes. I lindur në Thal të Austrisë në vitin 1947, Schwarzenegger është kthyer në një figurë ikonë të kinematografisë botërore, politikës amerikane dhe aktivizmit mjedisor.
Emri i tij është i lidhur me disa nga rolet më të famshme në historinë e filmit sidomos si “Terminator”, por edhe në filma të tjerë të suksesshëm si Predator, Total Recall, Commando dhe Conan the Barbarian.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm në Hollywood, ai mori një kthesë të papritur në karrierë: në vitin 2003 u zgjodh guvernator i Kalifornisë, një nga shtetet më të mëdha dhe me ndikim në SHBA. Ai shërbeu për dy mandate, deri në vitin 2011, duke u fokusuar në çështje si ekonomia, mjedisi dhe reformat sociale.
Edhe pse larg politikës aktive, Schwarzenegger mbetet i angazhuar fuqimisht në çështje mjedisore dhe humanitare. Ai është një nga zërat më të fortë në arenën ndërkombëtare për mbrojtjen e klimës dhe promovimin e energjisë së pastër.
“Transformimi është i mundur – për individin dhe për botën,” ka thënë shpesh Schwarzenegger, i cili është kthyer në simbol të suksesit përtej kufijve të një fushe të vetme./KultPlus.com