Art Lokaj: Mesazhi im për prindërit kosovarë, t’i përkrahin fëmijët e tyre në çdo rrugëtim

31 Dhjetor, 2018 - 12:00 pm

Alberina Haxhijaj

KultPlus ju sjellë intervistën e realizuar me aktorin e ri por shumë premtues, Art Lokaj. Arti ka shpalosur kujtime nga xhirimet e tij të para, dashurinë që ka marrë gjatë xhirimeve në Kosovë dhe sfidat të cilat po i hasë tani në Amerikë. Viti 2018 ka qenë një vit i cili ka sjellë ndryshime të shumta në jetën e Art Lokajt. I vogël por i roleve kryesore, Arti mishërohet lehtësisht me çdo rol që i ofrohet. Për këtë fundvit, po e sjellim Artin në këtë formë.  

KultPlus: Si lindi dashuria e Artit për aktrimin?

Art Lokaj: Në rolin e parë që e kam marrë. Isha 6 vjeç në filmin “Rooftop story” të regjisorit Gazmend Nela. Aktori Xhevdet Doda në një takim të rastësishëm me mamin (Arbana Xharrën) gjatë DokuFest-it në Prizren, i tregon se në një projekt filmik po e kërkojnë një djalë 6 vjeçar dhe e pyet mamin se sa vjeç janë fëmijët. Me dërgoi mami në audicion pas disa ditësh dhe e fitova rolin. Ka qenë hera e parë për mua dhe më shumë gëzohesha për ditët e xhirimit për stafin me të cilët kisha shumë afërsi. Mbaj mend skenat kur duheshim që t’i përsëritnim, ishte e lodhshme. Kam pasur një skenë ku unë kam pasë të pijë ujë dhe sa herë kthehej skena unë pija dhe dikur mu fry barku shume sepse e kisha tepruar.

KultPlus: Jeni rritur në mes të sportit, aktrimit dhe gazetarisë, profesione të familjarëve tuaj. Si ndikoi kjo tek ju dhe cila fushë mbetet më e preferuara për ju?

Art Lokaj: Sporti në fillim, futbolli ndoshta për shkak se babi (Andin Lokaj) ishte tërë kohën në televizion, edhe qysh të vegjël kemi nisë bashkë me vëllain Andin të luajmë. Gazetaria më pëlqen sepse shkoja shpesh tek mami në redaksi dhe më pëlqente era e letrës së gazetës dhe më bënte përshtypje sa shumë shkronja ishin të radhitura nëpër faqe. Kur nisa me aktrim mami më thoshte se i kam ngjarë gjyshit, aktorit Selman Lokaj. Unë mendoj se talentin e kam trashëguar nga familja dhe se ky do të jetë profesioni im.

KultPlus: Jeni në fillim të karrierës suaj në aktrim. Si do e përshkruanit këtë fillim, çfarë e karakterizon atë?

Art Lokaj: Unë kam luajtur në disa filma të shkurtër por edhe dy të metrazhit të gjatë. Më pëlqen arti i aktrimi se futesh në rol sikurse je në një botë tjetër dhe vet ti në një trup të huaj.

Më pëlqen gjithçka rreth aktrimit, prej skenarit kur nisi ta mësoj, e deri tek puna me staf, është kënaqësi e madhe të punosh me njerëz të filmit, me të gjithë jo vetëm aktorët, por edhe stafi teknik edhe vozitësit të gjithë kanë qenë shumë të mirë me mua dhe dua ti falënderoj secilin.

KultPlus: Jeni me moshë shumë të re, mirëpo keni arritur që përgjatë punës suaj të keni përkrah regjisorë të njohur. Sa ka ndikuar kjo tek ju?

Art Lokaj: Unë kam pasur fatin të punoj me regjisoren Lendita Zeqiraj, ajo ka luajtur një rol të madh në fillimin e karrierës sime.

Lendita më ka dhënë rolet kryesore në dy projektet e saj filmike, “Gardhi” i  metrazhit të shkurtër dhe “Aga” – film i metrazhit të gjatë. Falë punës së saj të mrekullueshme unë kam marrë pjesë në festivale të mëdha në Amerikë. Ndërsa në filmin ‘Aga’ i cili ende nuk është shfaqur ka qenë një eksperiencë mahnitëse, kisha një mbështetje të madhe të Lenditës. Isha disa muaj me ta deri natën vonë, hanim bashkë, luanim në pauzë, nuk do ta harroj kurrë atë përvojë. Dua të përmend edhe Basri Lushtakun me të cilin kemi luajtur në këtë film, ai më ka trajtuar sikur djalin e tij jo vetëm gjatë xhirimeve. Po ashtu me Rosafa Çelajn ka qenë eksperiencë shumë e mirë. Unë të gjithë këta i konsideroj më shumë se kolegë, këta janë familje për mua.

KultPlus: Deri tani keni qenë pjesë e disa filmave duke përfshirë këtu  “Gardhi”, “Aga’s House” dhe “Rooftop Story”. Çfarë mësuat gjatë këtij rrugëtimi dhe sa ka ndryshuar Arti përgjatë këtyre projekteve filmike?

Art Lokaj: Unë kam mësuar shumë dhe më është dhënë mundësia që të shfaqem nëpër kino, nëpër festivale të mëdha të filmit, nëpër botë të krijoj miq e kolegë të mrekullueshëm. U jam shumë mirënjohës dhe suksesin tim gjithmonë do të ia dedikoj të gjithë atyre që më mbështetën. Unë e dua aktrimin sepse loja në film edhe në teatër më bën të lumtur. E dua botën e aktorëve. 

KultPlus: Tashmë po synoni edhe një karrierë filmike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si mund ta përshkruani gjithë këtë eksperiencë?

Art Lokaj: Unë kam pasur disa audicione, në më të rëndësishmin atë për rolin në “Madam Secretary” u njoftova me aktorin Eric Stoltz, i cili edhe më përzgjodhi nga audicioni. Pasi kisha eksperiencën nga Kosova e mësova tekstin shpejt dhe isha i vetmi në audicion pa letër përpara. Kur u futa në dhomën e audicionit më pyetën se ku e kam skriptën, u thash se e kam memorizuar. Ata me kërkuan të shkoj sërish ditën tjetër, isha shumë i lumtur. Kam pasur shfaqje në teatër të New York-ut po ashtu kam marrë pjesë edhe në një garë të madhe në Chicago. Aty jemi prezantuar me monolog para agjentëve dhe kompanive të ndryshme. Shtatë nga kompanitë me kërkuan të takohesha bashkë me mamin, na morën të dhënat për projektet e tyre të ardhshme. 

KultPlus: Rrugëtimin tuaj ndërkombëtar por edhe atë kombëtar në aktrim po e vazhdoni suksesshëm, cilat janë projektet në të cilat jeni angazhuar së fundmi?

Art Lokaj: Ndërkohë jam duke punuar edhe me mësues privat për zë dhe teatër sepse në New York ku jemi të vendosur ka shumë mundësi të mira për në Broadway. Tash kam nisur mësimet private për zë dhe aktrim në teatër me Rance W Wright.

KultPlus: Cili është mesazhi i juaj për moshatarët tuaj të cilët dëshirojnë po ashtu të bëhen aktorë…
Art Lokaj:
Unë kam mesazh për prindërit e tyre, sepse ne si fëmijë e dimë çka na pëlqen por ka shumë rëndësi që të na mbështesin prindërit. Mami jo vetëm që më ka shtyrë nga fillimi por ajo merret me të gjitha edhe me përgatitjet e mia para audicioneve, me monologjet, me udhëtime, me takime. Më flet çdo ditë për rëndësinë e punës, disiplinën e leximit, më jep vullnet duke më rikujtuar suksesin që mund ta arrij nëse punoj me përkushtim. Pra kam mesazh për prindërit, ti përkrahin fëmijët e tyre, fëmijët tuaj…

KultPlus: Dhe për fund, Art, si do ta përshkruani vitin që po lëmë pas me pak fjalë fjalë?

Art Lokaj: Jo shumë i lehtë por shumë i suksesshëm për fillimin e karrierës sime. Jam duke zbuluar sa shumë të jep befasi e kënaqësi aktrimi. Më pëlqen se në Amerikë ka diversitet të kulturave, të gjitha këto së bashku po i sjellim në teatër e në film. Pra ishte një vit që më ka sjellë ndryshime të mëdha. / KultPlus.com

Të ngjajshme