3 Qershor, 2025 - 2:39 pm
Avdi Thachi, producent nga Maqedonia e Veriut dhe bashkëthemelues i kompanisë Lumiere Films, është përzgjedhur si pjesëmarrës në një nga programet më prestigjioze evropiane për zhvillimin e filmave dokumentarë – EURODOC.
Ai është i vetmi shqiptar që përfaqëson Maqedoninë e Veriut në këtë program ndërkombëtar, në mesin e producentëve të përzgjedhur nga Italia, Sllovenia, Kroacia dhe Serbia.
Me projektin dokumentar “Big in Gazi Baba”, të regjisores franceze Pauline Blanchet, Thachi do të merr pjesë në një rezidencë intensive 5-ditore në Ljubljanë, organizuar në kuadër të sesionit të dytë vjetor të EURODOC dhe mbështetur nga platforma RE-ACT.
Projekti “Big in Gazi Baba” ka zgjuar vëmendjen edhe më parë, pasi ishte i përzgjedhur si pjesë e programit “Spotlighted Projects” në Cannes Docs, pjesë e Festivalit të njohur të Filmit në Cannes – një tjetër arritje e rëndësishme për kinemanë dokumentare nga rajoni.
Përveç kësaj, Avdi Thachi është edhe producent i filmit të shkurtër dokumentar “Antigona”, i cili do të ketë premierën botërore në qershor në Sheffield DocFest në Mbretërinë e Bashkuar – një nga festivalet më të mëdha dokumentare në botë.
Ky projekt përfaqëson një tjetër sukses për produksionin e tij dhe për praninë e kinemasë shqiptare në arenën ndërkombëtare.
EURODOC është një program i financuar nga Bashkimi Evropian që mbështet producentët në zhvillimin e projekteve dokumentare me potencial bashkëprodhimi ndërkombëtar. Pjesëmarrja në këtë program i hap dyert bashkëpunimeve të reja dhe forcon zërat kreativë nga rajonet më pak të përfaqësuara në industrinë globale të filmit./ KultPlus.com