Bëhet e ditur data e lansimit të shout special ribashkues “Friends”

15 Maj, 2021 - 9:30 am

Ribashkimi i shumëpritur për edicionin special të shout televiziv “Friends”, më në fund është bërë me datë të lansimit dhe triler të ri, pas vonesave të gjata të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Me titull “Friends: The Reunion”, ky projekt do të jetë në dispozicionin e fansave përmes platformës HBO Max, nga 27 maji i këtij viti. Ribashkimi u mundësua pasi e gjithë kasta e aktorëve të serialit origjinal, arritën të xhirojnë së bashku muajin e kaluar.

“Friends” është një prej serialeve më të suksesshme televizive, që u transmetua nga viti 1994 deri më 2004 si dhe i përfshinte mbi 200 episode. Shou i shtjellonte historitë e gjashtë miqve nga New Yorku, Ross dhe Monica Geller të cilët ishin vëlla e motër, Chandler Bing dhe Joey Tribbiani, të cilët jetonin bashkë në një apartament dhe Rachel Green dhe Phoebe Buffay.

Shou i ri 10 episodesh ka gjetur gjenerata të reja të adhuruesve falë ritransmetimeve nëpër televizione të ndryshme, dhe në platformën digjitale Netflix.

Të gjashtë aktorët e serialit, Matthew Perry, Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer, do të marrin pjesë në këtë projekt të ardhshëm.

Krahas tyre në role dytësore rikthehen aktorët, Maggie Wheeler, James Michael Tyler, Reese Witherspoon, Tom Selleck, Elliott Gould dhe Christina Pickles.

Ndër mysafirët e famshëm që do të kenë paraqitje të shkurtër në shoun, “Friends: The Reunion”, janë: David Beckham, Lady Gaga, grupi “BTS”, Cara Delevingne, Mindy Kaling, James Corden, Malala Yousafzai dhe Justin Bieber.

Një triler i shkurtër i këtij edicioni special është publikuar të enjten, ku shfaqen gjashtë aktorët e famshëm duke ecur përkrahë njëri-tjetrit, të shoqëruar nga tingujt e kolonës zanore ikone të shout, “I’ll Be There For You”.

Në nëntor të vitit të kaluar u bë i ditur lajmi se një ribashkim i plotë i ekipit të serisë së popullarizuar është në realizim e sipër, me qëllim të festimit të 25-vjetorit të publikimit të “Friends”. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme