Blerta Hoçia, kuratore e DokuPhoto 2019

22 Korrik, 2019 - 7:39 pm

Programi i sivjetmë i fotografisë DokuPhoto, do të shënohet përmes bashkëpunimit me artisten dhe kuratoren Blerta Hoçia, e cila ka krijuar punimin që reflekton temën qendrore të festivalit.

Publiku do të ftohet të qëndrojë buzë lumit të Prizrenit mes urave të Gurit dhe të Arastës. Ata do të përjetojnë një hologram që do të shfaqet si një fantazmë gjatë natës, si një metaforë ndaj pakapshmërisë së të vërtetës. Titulli është referencë nga piktura Giorgione nga viti 1500 ‘Il tempo scopre la verita’ – e vërteta e zbuluar nga koha. Në pikturë koha përfaqësohet nga një plak, që e zbulon të vërtetën e zhveshur të personifikuar nga një grua e re prapa bezit.

Audienca ftohet të reflektojë mbi të dhënat që shohin. Të dhënat do të përkthehen në imazhe të zgjedhura nga arkiva jonë e përditshme kolektive, si lajmet, mjedisi, politika, shoqëria, lajmet e përditshme që shfaqen në faqet tona. Vazhdimisht të ushqyer nga të vërtetat dhe gënjeshtrat, na mbetet indiferenca ose paaftësia për të dalluar mes tyre. A është gjuha e të dhënave mediumi për të arritur te e vërteta apo vetëm për të gjeneruar miliona të vërteta?

Instalacioni dëshiron t’i vë në pikëpyetje mundësitë e pafundme të së vërtetës dhe natyrën e saj të paarritshme, përmes hologramit fantazëm dhe përmes të dhënave të palexushme që përbëjnë çdo imazh.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë festivalit dhe të gjithë jeni të ftuar të merrni pjesë.

Të ngjajshme