Rina Krasniqi në rolin e motrës së Mbretit Zog, premiera e “BOOKISH” u dha në Britani të Madhe

17 Korrik, 2025 - 3:00 pm

Në botën e televizionit britanik u mbajt premiera e serisë “BOOKISH”, e cila u transmetua më 16 korrik në orën 20:00, në kanalet Sky 109 dhe Virgin 114, pjesë e familjes së madhe UKTV dhe BBC Studios.

Një nga momentet më të veçanta të kësaj serie është prezantimi i Princeshës Nafije Zogu, motrës së Mbretit Ahmet Zogu, një figurë e rëndësishme në historinë shqiptare. Rolin e saj e luan aktorja Rina Krasniqi, që përmes këtij projekti i jep jetë dhe zë historisë shqiptare. Kjo ishte një mundësi për të parë pasionin dhe kompleksitetin e një periudhe të rëndësishme të historisë së Shqipërisë në një format dramatik dhe tërheqës për publikun ndërkombëtar.

“BOOKISH” sjell në ekran një ekip të jashtëzakonshëm aktorësh, ku përfshihen emra të njohur të industrisë si Mark Gatiss (i njohur për rolin në “Sherlock”), Joely Richardson (“101 Dalmatians”), Polly Walker (“Bridgerton”), Elliot Levey (“Peaky Blinders”) dhe Angeliki Papoulia (“Dogtooth”).

Aktorja shqiptare që portretizon Princeshën Nafije Zogu shpreh emocionin e saj për këtë eksperiencë: “Ka qenë një nder i pa përshkruar me fjalë të luaj rolin e një figure kaq të rëndësishme historike. Të punosh pranë legjendave të ekranit dhe një ekipi kaq të jashtëzakonshëm ka qenë një përvojë e paharrueshme.” Ajo shton se ky projekt vlerëson tregimet reale dhe është krenare që po sjellin historinë shqiptare përpara një audience ndërkombëtare, përcjellë KultPlus.

Atmosfera në setin e xhirimeve ka qenë gjithashtu e veçantë dhe e gjallë, me një humor tipik ballkanik. Aktorja thotë me buzëqeshje: “Ne sollëm pak më pak çaj… dhe shumë më shumë raki!”, duke nënkuptuar jo vetëm ngrohtësinë e ekipit, por edhe një dozë të veçantë të kulturës shqiptare që është përfshirë në këtë produksion.

“BOOKISH” arriti të bashkojë historinë, kulturën dhe artin në një rrëfim me dimensione ndërkombëtare, e njëherësh duke bashkuar edhe publikun shqiptar me atë ndërkombëtar, e poashtu edhe ekipin e aktorëve. “BOOKISH” arriti të shpërfaq një histori që përçon jo vetëm një ngjarje, por edhe një pjesë të identitetit shqiptar në një nga platformat më të njohura televizive të botës./KultPlus.com

Të ngjajshme