Bujar Alimani dërgon në Gjermani historinë e diktaturës komuniste të Shqipërisë

16 Maj, 2019 - 10:18 am

Projekti për vitin 2019 i shoqatës URACult i quajtur „URA 5” filloi të shtunën në lokalet e “Filmclub 813” në Köln me organizimin „URACult Movie“.

Artdashësve nga kjo pjesë e Gjermanisë iu prezantua filmi „Delegacioni“ i regjisorit Bujar Alimani. Shfaqja e filmit i cili momentalisht është duke u prezantuar në festivale të ndryshme, mblodhi një numër të konsiderueshëm të shikuesve. Kritika e tyre për këtë filmi ishte duartrokitja e gjatë për regjisorin Alimani i cili u lidh drejtpërdrejtë nga Nju Jorku me kinemanë në Köln.

Çmimet që mori filmi si „Çmimi i Madh“ në edicionin e 34 të festivalit ndërkombëtar të filmit “Warsaw Film Festival” vërtetojnë vlerën e lartë artistike të tij. Me një grup aktorësh të shkëlqyeshëm, regjisori Alimani ka arritur që në 80 minuta të sjell shikuesve shumë afër gjithë historinë e diktaturës komuniste në Shqipëri e cila numëronte ditët e saj të fundit. Për shumë nga shikuesit në sallë  filmi ishte një kthim në një periudhë të jetës së tyre apo jetës së prindërve e gjyshërve siç tregon edhe Aurora Barçi nga Kölni, një nga mysafirët e mbrëmjes.

“Unë jam rritur me historitë e komunizmit që më tregonin gjyshërit dhe prindërit e mi. Ky film ishte një kthim pas në kohë dhe që të bën të reflektosh mbi vlerën e një sistemi demokratik“.

Në shfaqje ishte i pranishëm edhe aktori Ilir Rexhepi i cili jeton dhe vepron në Gjermani. Ai e vlerësoi lartë filmin dhe tha se „ky film vërteton se kinematografia shqiptar po ecën përpara dhe filmit  i dëshiroj suksese edhe në festivalet tjera të filmit në botë“.

Në bisedë regjisori Alimani falënderoi organizatorin për prezantimin e filmit në Köln duke thënë se e çmon shumë punën e celulave kulturore si URACulti të cilat u sjellin afër artdashësve vlera artistike në vendet e tyre, larg tepihëve të kuq dhe dritave të fotografëve në festivale.

Shoqata URACult vërtetoi edhe një herë punën e saj të vlefshme të  filluar para gati pesë vitesh në promovimin e kulturës shqiptare në Gjermani. „Në thelb, URACult për mua është një pikëz atdhe që na ofrohet në mënyrën më të sofistikuar dhe plot laramani në jetën tonë në Gjermani“ flet specialistja për menaxhimin e të dhënave Aurora Barçi e cila rregullisht është e pranishme në organizimet e URACult-it.

Ndonëse për herë të parë në një organizim të kësaj shoqate, aktori Ilir Rexhepi poashtu mbeti shumë i kënaqur si me programin e poashtu me rrethin e njerëzve që ishin mbledhur në këtë  mbrëmje në metropolën pranë lumit Rhein.

“Është i rëndësishëm dhe i nevojshëm funksionimi i shoqatave të tilla si URACult në Gjermani. Ndërlidhja dhe bashkëpunimi në sfera të ndryshme, edhe në  sferat kulturore-artistike me Gjermaninë është mbase i nevojshëm sepse Gjermania është mike dhe përkrahëse e madhe e shqiptarëve“, foli aktori Rexhepi i cili momentalisht është duke punuar në disa projekte të ndryshme në Gjermani.

Për këtë mbrëmje ishte planifikuar edhe një bisedë me aktorin Kasem Hoxha i cili luan në filmin „Delegacion“ por fluturimi i tij nga Kroacia ku kishte xhiruar për një projekt televiziv gjerman ishte anuluar. Por ai i përshëndeti të pranishmit në Kino me një video disaminutëshe nga aeroporti i Splitit.

Me 29. Qershor URACult organizon për të tretën herë mbrëmjen letrare “URACUlt Literae” ku do të lexojnë disa autorë të rijnë shqiptarë. / KultPlus.com

Të ngjajshme