‘Dashuri dhe Turbulenca’ me premierë në Prishtinë, aktorët presin që filmi të ketë sukses të madh në Kosovë

28 Prill, 2022 - 2:15 pm

Flonja Haxhaj

Mbrëmë në hapësirat e Cineplexx Kosova ishin bërë bashkë shumë figura të njohura të artit dhe artdashës që kishin ardhur për ta parë premierën e filmit ‘Dashuri dhe Turbulenca’, përcjell KultPlus.

Kasta e aktorëve i cili përbëhet nga Gentian Zenelaj, Rudina Dembacaj, Amos Muji Zaharia, Sara Kolami, Alesia Xhemalaj dhe Olimpia Smajlaj, kishin ardhur nga Shqipëria me pritshmëri të larta që ky film do të pëlqehet shumë nga publiku vendas.

Filmi i zhanrit komedi, mbushi plot ulëset e sallës në kinemanë Cineplexx, i cili pëveç situatave komike e që u përcollën me shumë të qeshura, solli edhe momente dramatike dhe që e mbajtën publikun të vëmendshëm deri në përfundim të tij.

‘Dashuri dhe Turbulenca’  vjen si bashkëpunim i ‘Papadhimitri Production’ dhe bashkë-producentes, Rudina Dembacaj.

Ndërkaq, regjisori i filmit, Dionis Papadhimtri tregon vështirësitë e gjithë këtij rrugëtimi të shkurtër por të shpejtë.

“Vështirësia ime kryesore ishte se u përballa me një komedi që duhet të ishe 80% interior në të xhiruarit dhe ndërtimi si i skenës ashtu edhe puna me aktorët ishte shumë  më i vështirë më krahasim me filmat e tjerë, pasi filmat e tjerë të lejojnë më shumë mundësi të japësh më shumë dorë tek interiori dhe eksterior, janë lidhjet më të thjeshta, kurse në këtë film duhej të ishte gjithçka ekzakt  dhe e detajuar.”, tha Papadhimitri.

Foto: Cineplexx Kosova

“Kjo është një fabulë e thjeshtë, është historia e një djali rreth 40 vjeç që në të njejtën kohë ka tri të dashura stjuardesa dhe për shkak të një stuhie që ndodh, oraret e airoplaneve ndryshojnë dhe përplasen në të njëjtën kohë, në të njëjtën shtëpi dhe në të njëjtin moment.  Në këtë moment vjen dhe shoku i tij i ngushtë dhe krijohen situata të shumta komike që i krijojnë një ritëm mjaft të madh filmit.”, përfundoi ai.

Në premierën e filmit ‘Dashuri dhe Turbulenca’ në Prishtinë ishte i pranishëm edhe skenaristi i filmit, Gentian Zenelaj, i cili tha për KultPlus se kjo është hera e parë e tij që sjell një film premierë në Kosovë, por ai tregon se i ka pritshmëritë e larta që ky film do të pëlqehet shumë nga publiku këtu. Zenelaj, përveç skenarit, ka marrë mbi supe edhe  një ndër rolet kryesore, atë të Danielit.

Foto: Cineplexx Kosova

“Unë luaj rolin e Danielit, i cili është një nga personazhet kryesore, është një djalë i kthyer nga emigracioni, i cili vjen dhe përfshihet në jetën e Edit, e cila është  një jetë me stuhi dhe turbulenca për shkak të femrave me të cilat ai mban shtratin dhe jetën. Danieli është një djalë që  futet në këtë turbulencë të madhe, është një pasagjer i rastësishëm por që fillon dhe i shijon kjo jetë dhe me kalimin e kohës fillon të ketë trajta ngjajshmërie edhe me personazhin e Edit. “, deklaroi Zenelaj, i cili shton se pavarësisht se ishte një film me shumë vështirësi në realizim, ai e ka shijuar shumë.

Ky film i metrazhit të gjatë, e prezantoi për herë të parë aktoren Rudina Dembacaj në rolin e bashkë-producentes. E gjithë këtë eksperiencë, Dembacaj e cilëson si një fluturim avioni.

“Biseda nisi në nëntor, në dhjetor u gjetën të gjithë bashkëpunëtorët, xhiruam në janar dhe me 7 prill e patëm premierën në Tiranë.  Ishte një emocion i jashtëzakonshëm.”, tha Dembacaj.

Foto: Cineplexx Kosova

Përveç si bashkë-producente, Dembacaj u paraqit edhe në film me rolin e Fridës, një grua nevrike, e cila është asistentja e Edit dhe krahu i djathtë i tij. Ndërkaq Dembacaj për KultPlus tregon vështirësitë e gjithë këtij rrugëtimi.

“Ka qenë e vështirë sepse duhej të punonim shumë shpejt, kjo për shkak se kishte shumë mungesa në kinematografinë shqiptare për shkak të Covidit, dhe jam shumë e lumtur që ne kthyem shumë spektatorë për ta parë, i kthyem drejt kinemasë dhe drejt pëlqimit e përqafimit të prodhimeve shqiptare.”, përfundoi ajo duke dhënë edhe informacionin se shumë shpejt do të fillojnë punën me filmin ‘Dashuri dhe Turbulenca II”

E në mbrëmjen kushtuar vetëm këtij filmi, sigurisht që nuk mungoi as aktori Amos Muji Zaharia i cili në film luan rolin kryesor, atë të Edit.

“Ka qenë një film i jashtëzakonshëm, i bërë me shumë dashuri, me një kastë aktorësh të shkëlqyer e unë e ndjej veten me shumë fat që jam bërë pjesë e kësaj experience kaq të bukur.”, tha Muji Zaharia, i cili shton se ka pritshmëri të larta që ky film do të ecë shumë mirë dhe do të mirëpritet nga publiku i Kosovës.

Foto: Cineplexx Kosova

Përveç një kasti të aktorëve që tashmë kanë vënë themelet e tyre në fushën e aktrimit, ky film prezantoi  edhe fytyra të tjera të cilët ndonëse karrierën e tyre e kanë nisur në fusha të tjera të artit, në këtë film patën një paraqitje të shkëlqyer.

Një ndër ta është edhe Olimpia Smajlaj, e cila thotë se pavarësisht se me profesion është këngëtare, është shumë e lumtur që u paraqit në një projekt të tillë.

Foto: Cineplexx Kosova

“Ka qenë sfidues vetëm në fazën e parë të xhirimeve sepse kemi pasur shumë punë me intensitet, sepse filmi është një projekt shumë i madh, shumë i rëndësishëm dhe intensiv, por edhe jashtëzakonisht i bukur që e kam shijuar pa fund sepse kam pasur në krahë edhe një aktor shumë të njohur dhe shumë të mirë të skenës shqiptare.”, tha Smajlaj për Kultplus.

Ndërkaq, filmi ‘Dashuri dhe Turbulencë’ do të fillojë të shfaqet nga sonte në kinemanë Cineplexx në Prishtinë./ KultPlus.com

Foto: Cineplexx Kosova

Të ngjajshme