Dështojnë konkurset e brendshme për drejtorë të QKK-së dhe të “Shotës”

6 Janar, 2018 - 4:06 pm

Ministria e Kulturës ka anuluar konkursin e brendshëm për drejtor të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Këtë e ka arsyetuar me mungesë të kandidatëve. Kësisoj institucioni më i lartë kulturor në vend i ka hapur rrugë shpalljes së konkursit publik, siç e përcakton Ligji për kinematografi dhe ashtu siç ka kërkuar një pjesë e komunitetit të kienastëve.

“Ministria e kulturës, Rinisë dhe Sportit mbështetur në procedurat e rekrutimit, njofton për anulimin e konkursit (rekrutim i brendshëm)… për pozitën drejtor në Qendrën Kinematografike të Kosovës, për shkak të mosplotësimit të numrit të kandidatëve të nevojshëm për kryerjen e procedurës së rregullt të rekrutimit”, shkruhet në njoftimin e publikuar nga MKRS-ja të premten. Në të njëjtën ditë dhe me të njëjtin arsyetim është anuluar edhe konkursi i brendshëm për drejtor në ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, shkruan sot Koha Ditore.

Konkursi i brendshëm për kreun e QKK-së ishte bërë shkas që të reagonin dy shoqata të kineastëve, duke thënë se kësisoj Ministria e Kulturës po përgatiste terrenin për të rizgjedhur Arben Zharkun në krye të QKK-së. Përderisa Shoqata e Autorëve dhe Producentëve të Filmit dhe Unioni i Artistëve të Filmit të Kosovës u kishin dërguar ministrit të Kulturës dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës një reagim, ku mes tjerash shkruhej se konkursi me “intencë të manipulimit dhe tendencë për të rizgjedhur në mënyrë të kundërligjshme ish-drejtorin Arben Zharku në krye të QKK-së është tepër transparente”, MKRS-ja jepte të tjera sqarime. Sipas këtij institucioni, konkursi intern ishte hapur me rekomandimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil dhe me lejen e Ministrisë së Administratës Publike. Drejtori aktual i QKK-së, Arben Zharku, të cilit i skadon mandati katërvjeçar më 31 janar nuk kishte të drejtë të konkurronte pasi megjithëse llogaritet si shërbyes civil ai është i zgjedhur me mandat. Në orët e mbrëmjes gazeta ka provuar të komunikojë me sekretarin e përgjithshëm të MKRS-së, Veton Firzin, por një gjë e tillë ishte e pamundur.

Regjisori Luan Kryeziu, i cili është sekretar i Unionit të Artistëve të Filmit të Kosovës, ka thënë se anulimi i konkursit të brendshëm është një dëshmi se mund te respektohen ligjet. “Edhe pse konkursi është anuluar me një pretekst tjetër, gjithsesi duhej të anulohej sepse ishte vërtet skandaloz. Duhet ta kuptojë edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil se drejtori i QKK-së nuk është shërbyes civil, por funksionar publik dhe emërohet nga ministri. Ne besojmë që Zyra është manipuluar nga dikush i brendshëm, i cili do me çdo kusht ta ruajë gjendjen e mëparshme”, ka thënë ai për konkursin, që e hap Divizioni i Burimeve Njerëzore i MKRS-së. Sipas tij, meqenëse reagimet nuk kanë shkuar në vesh të shurdhër, besojnë që stafi i ri udhëheqës i Ministrisë nuk do të mbështetë keqpërdorimet.

“Ne besojmë shumë që të fillojnë seriozisht edhe prokuroria edhe institucionet hetimet për rastet që kemi dërguar dëshmi”, ka thënë Kryeziu. / KultPlus.com

Të ngjajshme