“Dilema e Ismailit”, filmi që pasqyron kohën kur Shqipëria u bë streha më e ngrohtë për hebrenjtë

12 Gusht, 2020 - 1:43 pm

Suada Qorraj

Kodi i lashtë i nderit dhe i sjelljes, besa shqiptare, një fjalë e dhënë që duhet të mbahet përtej vdekjes, premtimi i cili nuk mund të thyhet në asnjë rrethanë edhe atëherë kur ta mbrosh atë do të thotë të japësh edhe jetën tënde. Historia e besës është po aq e gjatë sa edhe vet historia e vendit tonë, kodi i nderit që karakterizoi shqiptarët ndër vite nuk u kufizua në statuset shoqërore të njerëzve, madje ajo kaloi edhe përtej feve, shkruan KultPlus.

Filmi i metrazhit të shkurtër “Dilema e Ismailit” pasqyron Shqipërinë e vitit 1944, kohën kur nazistët e kishin bërë luftën pjesë të pandashme të jetës. Njëri nga personazhet kryesore të këtij filmi, Ismaili përballet me një nga dilemat më të mëdha të kohës. Për një periudhë të gjatë shtëpia ku ai banonte me familjen e tij, ishte bërë streha më e ngrohtë për dy hebrenjtë që ikja e fshehja ju kishte bërë sinonim i jetës.

Ishte pasiguria ajo që shoqëroi të gjithë personazhet e këtij filmi, pasiguria për jetën, pasiguria për besën e fjalën e dhënë njëri-tjetrit.

Kujtojmë që përpara Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ishin të vendosur diku rreth 300 hebrenjë, kurse pas përfundimit të saj më shumë se 3000 prej tyre e konsideronin Shqipërinë shtëpi të tyre. Hebrenjtë që qëndruan në Shqipëri, nuk u vranë madje as nuk u dorëzuan tek nazistët. Kjo besnikëri e popullit shqiptarë e ka ngacmuar regjisorin Dhimitër Ismailaj i cili vendosi ta kthejë në film.

Në një intervistë për KultPlus, Ismailaj shpalos detajet që ndoqën rrugën deri te realizimi i filmit të metrazhit të shkurtër “Dilema e Ismailit”. Ai rrëfen mesazhin, qëllimet madje edhe pengesat që i ka hasur gjatë punës së tij.

Xhirimet e këtij filmi kishin filluar në majin e vitit që lam pas, në thellësinë e fshatrave Shëngjergj e Baladushk të Shqipërisë.

Ismailaj ka thënë se procesi i realizimit të këtij filmi nuk ka qenë i lehtë për shkak se trajton një temë që ka ndodhur para më shumë se 70 viteve dhe që nga ajo kohë shumë gjëra kanë ndryshuar, që nga vendet dhe ndërtesat e ndërtuara në atë periudhë. Ai ka shtuar se sigurimi i kostumeve dhe armëve naziste, por dhe makinave, ka qenë i vështirë sepse Kosova, Shqipëria madje edhe Maqedonia nuk posedojnë rekuizita të tilla.

“Procesi ishte i vështirë për faktin se kemi të bëjmë me një ngjarje që ka ndodhur pak a shumë 70 vite më parë dhe shumë gjëra kanë ndryshuar, duke përfshirë këtu edhe vend xhirimet, domethënë ishte e vështirë të gjenim vend xhirime që janë të paprekura nga ndërtimet e reja apo moderne. Një vështirësi tjetër e madhe ka qenë gjetja e kostumeve naziste si dhe të armëve, makinave të asaj kohe. Fatkeqësisht Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia nuk kane rekuizita të tillë, dhe është për të ardhur keq, sidomos për Shqipërinë që ka qenë e pasur me këtë lloj rekuizite gjatë viteve të funksionit të plotë të Kinostudios”, ka pohuar Ismailaj.

Regjisori tutje ka shpjeguar se kjo nuk ishte pengesa e tij e vetme që ka hasur gjatë realizimit të këtij filmi. Ai ka thënë se ndonëse kishte konkurruar në QKK në Shqipëri e Kosovë, projekti i tij nuk kishte fituar sepse sipas tij ai nuk posedonte “lidhjet” e duhura për të marrë fondet për realizimin e këtij projekti.

“Po, përveç vështirësive që përmenda pak më lart me rekuizitën, vështirësi patëm edhe me gjetjen e buxhetit. Unë konkurrova si në QKK-në e Shqipërisë ashtu edhe në atë të Kosovës, por në të dyja rastet projekti nuk fitoj, ndonëse mendoj se tema është shumë pak e trajtuar nga kineastët në Shqipëri apo edhe në Kosovë, të paktën në këtë formë. Tani dihen nga të gjithë sesi funksionojnë këto konkurse dhe se kush fiton, dhe duke qenë se unë nuk jetoj në Shqipëri apo Kosovë dhe nuk kam “lidhjet” e duhura, besoj se ndikoj në faktin që nuk fitova. Por, kur konkurrova, konkurrova me idenë dhe shpresën se subjekti dhe tema e filmit do të fitonin, jo unë”, ka thënë Dhimitër Ismailaj i cili u detyrua që 90% të filmit ta financojë vet dhe 10% nga disa donacione të hebrenjve në NY, e bërë e mundur nga këshilltari i Bashkisë së New York-ut, Mark Gjonaj.

Ndonëse i realizuar me mjaft vështirësi “Dilema e Ismajlit” mban në vete një nga mesazhet më të mëdha që mund të përcillen përmes një filmi të tillë. Tridhjetë e dy minutat e këtij filmi, e gjejnë personazhin kryesor, Ismailin të ulur në një sofër me dy hebrenjtë që strehonte dhe At Lekën, që s’kishte shumë kohë që kishte përfunduar udhëtimin e tij në Kosovë.

Edhe pse i përkisnin religjioneve të ndryshme, Musliman, Katolik dhe Judaist, të katër personazhët bashkëvepronin e bashkëjetonin mes vete, ndanin bukën, gëzimin madje edhe hallet së bashku.

Për regjisorin, përpos faktit që besa është një nga konceptet e qarta të këtij filmi, ai ka dashur që të vë në pah edhe faktin që besa ju përket shqiptarëve, pa marrë parasysh fenë e tyre, madje sipas tij ajo është më e hershme se çdo fe që ne e praktikojmë sot.

“Natyrisht përveç faktit që është i qartë në konceptin e Besës, desha të vë në dukje që besa është  një fenomen, një lloj filozofie sesi një popull apo grup njerëzish e shohin dhe praktikojnë jetën e përditshme, të paktën deri 30-50 vitet me parë. Por, mesazhi kryesor mendoj se ka të bëj me faktin se besa nuk i përket ndonjë feje të veçantë, siç janë munduar rëndomtë të bëjnë disa individ brenda dhe jashtë vendit, me ose pa qëllim. Besa në fakt, mendoj se është shumë më e hershme se çdo fe që ne praktikojmë sot”, ka theksuar ai.

Dhimitër Ismailaj është shprehur i kënaqur me lojën e aktorëve, siç e shpjegon ai, kushdo që do të shikoj filmin gjëja e parë që do t’i bie në sy është edhe aktrimi që kanë bërë personazhet e filmit.

Filmi tashmë ka marrë pjesë në shumë festivale dhe ka rrëmbyer çmimin si: Filmi më i mirë i huaj i metrazhit të shkurtër në Festivalin e Filmit “Carmathen Bay”. Ndërkaq është edhe pjesë e edicionit të 19-të të “Dokufest-it”.

Regjisori Ismajlaj ka thënë se është inkurajuese kur merr pjesë në festivale që kanë reputacion për drejtësi dhe paanësi. Madje për të “Dokufest-i” ka një vend të veçantë sepse ka një mënyrë unike të realizimit. Sipas tij puna që kanë bërë organizatorët përgjatë këtyre 19 viteve dëshmon forcën kulturore të këtij festivali.

“Për mua “Dokufest” ka një vend special sepse është unik në organizim dhe larmin e projekteve, sikurse dhe për faktin që kur ja kanë nis kësaj rruge, janë hasur pak a shumë me të njëjtat probleme dhe vështirësi që jam hasur edhe unë apo shumë kineastë të tjerë, pra me vështirësi financiare, me cinizmin e të tjerëve apo duke pasur edhe dilemë për sukses. Por, fakti që mbas 19 vitesh festivali nga një dhomë e vogël është bërë një forcë e madhe dhe e rëndësishme kulturore për rajonin, dëshmon në punën kolosale dhe besimin e organizatorëve në projektin e tyre”, ka përfunduar kështu intervistën Dhimitër Ismailaj.

“Dilema e Ismajlit” tashmë ka filluar udhëtimin edhe në festivale të tjera, në Toronto dhe Berlin, por që sipas regjisorit detaje të tjera do të bëhen të njohura kur vetë festivalet do t’i shpallin nominimet. / KultPlus.com

Të ngjajshme