Disa nga momentet më fatale në kinematografi, nga Brandon Lee te piloti i “Top Gun” (FOTO)

23 Tetor, 2021 - 7:30 pm

Vdekja e drejtoreshës së fotografisë Halyna Hutchins, nga Alec Baldwin, gjatë xhirimeve të filmit “Rust”, me një armë që duhet të ishte bosh, sjell në mendje vdekjen e Brandon Lee në xhirimet e filmit “Korbi”. Por ky nuk është episodi i vetëm tragjik në historinë e kinemasë, i lidhur me përdorimin e armëve të zjarrit në skena filmash. Janë të shumtë dhe kryesisht të pashpjegueshme, aksidentet fatale gjatë xhirimeve.

Skena që mbeti në mendjen e të gjithëve, me kriminelët që gjuanin nga të gjitha drejtimet drejt Lee që qëndronte në një tavolinë në qendër, mbeti në kujtesë edhe sepse ishte e fundit e luajtura nga aktori. Njëra nga armët nuk ishte në siguresë dhe e vrau. Tragjedia ndodhi në 1993, Brandon Lee ishte 28 vjeç. Ai ishte djali i yllit të arteve marciale Bruce Lee. Sipas hetimeve, ai u qëllua nga një plumb i kalibrit 44 që i ka rënë pranë shtyllës kurrizore. Në një postim në Twitter motra e Lee, Shannon tha: “Zemrat tona janë me familjen e Halyna Hutchins dhe Joel Souza dhe të gjithë të përfshirët në incidentin ‘Rust’.

Në vitin 1984, aktori Jon-Erik Hexum vdiq pasi qëlloi veten në kokë me një pistoletë bosh, ndërsa pretendonte se luante ruletë ruse me një Magnum 44 në xhirimet e serialit televiziv ‘Cover Up’.

Ndërsa në vitin 1983 tre persona, mes tyre dy fëmijë, vdiqën gjatë xhirimeve të filmit “Në fund të realitetit”. Vic Morroë dhe aktorët fëmijë Myca Dinh Le, 7 vjeç, dhe Renee Shin-Yi Chen, 6 vjeç, vdiqën në një aksident që përfshiu një helikopter të përdorur në xhirime. Helikopteri po fluturonte në një lartësi prej vetëm 8 metrash, shumë i ulët për të shmangur shpërthimet e fishekzjarreve të përdorura në set. Kur shpërthimet prenë helikat e bishtit, helikopteri humbi kontrollin dhe u rrëzua, duke i prerë kokat Morrow dhe Le me tehet e tij dhe duke prekur Chen.

“Top Gun” regjistroi gjithashtu një viktimë në xhirime. Piloti akrobat Art Scholl, 53 vjeç, u punësua për të bërë punën e fluturimit në xhirimin e filmit. Gjatë një skene fluturimi akrobatik Scholl humbi kontrollin e Pitts S-2 të tij dhe u rrëzua në Oqeanin Paqësor në brigjet jugore të Kalifornisë. Top Gun iu kushtua kujtimit të tij.

Në vitin 2008, në thrillerin fantastiko-shkencor “Jumper” me protagonist Samuel L. Jackson, një përzierje e rërës së ngrirë, tokës dhe akullit u përdor për efektet speciale. Projektuesi i produksionit David Ritchie u shpall i vdekur në vendngjarje pasi një copë e madhe rëre e ngrirë dhe zhavorri ra mbi të nga maja e një muri.

Në filmin aksion “XXX” të vitit 2002 me Vin Diesel, Harry L. O’Connor, u vra në një aksident gjatë xhirimeve, në një skenë ku ai duhej të zbriste një shpat të pjerrët dhe më pas të hidhej me parashutë në një nëndetëse. Kur O’Connor dështoi të zbriste me shpejtësi të mjaftueshme, ai goditi një urë dhe mbeti i vdekur në vend.

Edhe filmi “Troja” nuk ishte pa incidente. Për ironi të fatit, Brad Pitt, i cili luante Akilin, këputi tendinën e majtë të Akilit gjatë xhirimeve. Ndërsa aktori George Camilleri, theu këmbën në një skenë. Ai u trajtua në spital, por disa ditë më vonë pësoi një atak në zemër për shkak të një mpiksje gjaku në këmbë. Menjëherë pas kësaj, një atak i dytë në zemër ishte fatal për të./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme