Përmes imazheve filmike, DokuFest do të prezantojë copëza nga historia e Kosovës

29 Korrik, 2019 - 5:35 pm

Rrona Jaka

“Gjithçka që kam mësuar e kam mësuar nga filmat” shprehet akrorja britanike Audrey Hepburn, dhe ndoshta është shprehja më e mirë për edicionin e 18-të të festivalit të filmit DokuFest, shkruan KultPlus.

Me moton diotomike “Truth lies here” DokuFest do të fillojë këtë të premte dhe do të vazhdojë për nëntë ditë me radhë.

Hapjes së festivalit i ka paraprirë një konferëncë për media ku drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari ka treguar të gjitha detajet lidhur me këtë edicion të DokuFest.

“Këtë vit kanë aplikuar mbi dy mijë filma për të qenë pjesë e festivalit por janë pranuar vetëm 282, nga ku 160 janë pjesë e garës së festivalit.”

Ai ka treguar edhe surprizat që do të ketë në këtë edicion të DokuFest dhe si do të realizohet i gjithë festivali.

“Zakonisht DokuFest zhvillohet në prej lokacioneve më të etiketuara të Prizrenit, por këtë herë do të shtohet edhe Kinemaja Udhëtuese e cila do të shkojë në disa vende më pak të njohur atë qytetit të Prizrenit” ka deklaruar Nurkollari.

Ai ka shtuar gjithashtu që në çdo ditë të festivalit do të ketë edhe filma për fëmijë të cilët do të jenë absolutisht falas dhe do të trajtojnë tema për moshat e adoleshencës dhe të fëmijërisë së vonë.

Edhe Samir Karahoda, Programer i filmit të shkurtër, ka folur për filmat që do të shfaqen gjatë këtij edicioni

“Këtë herë Doku fest do të shfaqë dromca nga historie e Kosovës përmes imazheve filmike. Kemi një kohë të gjatë që punojmë në realizimin e festivalit dhe gjithçka është realizuar si më së miri.” Është shprehur Karahoda në konferencën për media.

Detaje të tjera rreth përgatitjes së festivalit ka shtuar edhe drejtoresha e festivalit Nita Deda, e cila është shprehur tepër e kënaqur me punën dhe bashkëpunimin lidhur me realizimin e festivalit.

“Në këtë edicion të DokuFestit presim një angazhim tepër të madh dhe një numër edhe më të madh të vizitorëve. Për nëntë ditë sa do të zgjatë festivali do të keni mundësi t’i shihni mbi 280 filma, të merrni pjesë në debate dhe të bashkoheni në punëtoritë ku do të ligjërohet rreth filmbërjes nga aktorë vendorë e të huaj.” është shprehur  zonja Deda.

Ajo ka foluar edhe për filmat që do të shfaqen duke u munduar që të mos japë shumë detaje.

“Siç e përmendi edhe drejtori artistik i festivalit do të jenë 282 filma gjithsej nga 2000 sa kanë aplikuar. Filmat janë të zhanreve të ndryshme dhe kanë të gjithë mjeshtrinë e filmografisë moderne” është shprehur Deda.

“Përveç filmave e debateve do të ketë edhe mbrëmje argëtuese me muzikë, nga ajo klasikja deri te muzika ekspreimentale tekno”, ka sqaruar ajo.

Ajo ka treguar edhe se gjatë këtij edicioni, 150 vullnetarë të rinjë janë bërë pjesë e ekipit, të cilët so të trajnohen dhe do të jenë pjesë e edicioneve të tjera të DokuFestit.

Konferenca është mbylluar me këshillën që të gjithë të inkuadrohen sa më shumë në botën e filmit sepse vetëm kështu mund të largohen për pak çaste nga realiteti./KultPlus.com

Të ngjajshme