DokuFest, i gatshëm për edicionin e tetëmbëdhjetë

21 Korrik, 2019 - 8:44 pm

Në një vit dhe në një botë të dominuar nga histeria e lajmeve të rreme, DokuFest i bashkohet diskutimit mbi atë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme dhe mënyrën se si kjo na ndikon të gjithëve, duke zgjedhur të VËRTETËN si temë të edicionit të sivjetmë të festivalit.

“Me ngjarje për të gjitha moshat, edicioni i 18 i DokuFest vjen me një program fantastik dhe të guximshëm të filmave që do të shfaqen në kinematë e hapura dhe tanimë legjendare të festivalit, performanca muzikore që shtrihen në tri skena dhe mbulojnë akte nga muzika elektronike eksperimentale e deri te iso-polifonia, ekspozitë holografike të fotografisë dhe përvoja RV, punëtori dhe masterklasa, të ndërthurura në nëntë ditët të preferuara tona të vitit.” e përshkruan për albinfo.ch, 2 javë para hapjes drejtoresha e festivalit, Nita Deda. “Dua të falënderoj për punën e palodhshme të ekipit dhe vullnetareve të festivalit, të cilët cdo vit na bëjnë krenarë.”

Në atë që premton të jetë një program i filmave radikalë, me një numër folësish që do të diskutojnë nocionin e së VËRTETËS, si në kinema ashtu edhe në botë dhe përmes një programi të ekspozitave të hapura, ligjëratave nga artistë të ndryshëm, punëtori bashkëpunuese si dhe performanca muzikore të larmishme, ne ju ftojmë t’i bashkoheni këtij udhëtimi shumëngjyrësh mes realitetit dhe fantazisë, gënjeshtrave subjektive dhe të vërtetave objektive – politikës në një botë të globalizuar dhe peisazhit dixhital të së post-vërtetës.

Nga 280 filma që do të shfaqen gjatë 9 ditëve të festivalit, mbi 100 filma do të jenë pjesë e programit garues përmes dokumentarëve të mrekullueshëm si dhe filmave të shkurtë dhe të kinemasë eksperimentale që vinë nga 40 shtete të ndryshme është ajo që e karakterizon programin e këtij edicioni.

Ajo që e shquan këtë vit është edhe numri i madh i regjisorëve, filmat e të cilëve do të debutojnë për herë të parë nëpër seksionet e ndryshme garuese të festivalit si dhe regjisorë që marrin pjesë për të disatën herë me radhë.

“Të guximshëm dhe inovativë, të kohës dhe të rëndësishëm, kështu do t’i përshkruaja shumë nga filmat e programit garues të sivjetmë”,  tha për albinfo.ch Veton Nurkollari, Drejtor Artistik i festivalit.“DokuFest vazhdon misionin e tij për të sjellë më të mirën nga fusha e filmit në Kosovë dhe për këtë jemi jashtëzakonisht të lumtur që këtë vit mirëpresim një numër të filmbërësve të rinj si dhe të atyre që rikthehen prapë për këtë edicion të festivalit.”

Përmes programeve speciale DokuFest i ka dedikuar një moment të veçantë kontributeve filmike jo-fiktive të edicionit të sivjetmë, duke ndarë një moment zie për vdekjet e tyre. Që kur filloi ky vit katër heronj avangardë ndërruan jetë – filmbërësja eksperimentale feministe Barbara Hammer, kuratori, poeti dhe artisti Jonas Mekas, nismëtari Jugosllav i ‘Black Wave’ Dusan Makavejev si dhe nëna e ‘French New Wave’, Agnes Varda.  “Shpresojmë që do të na bashkoheni në nderimin që do ju bëjmë këtyre radikalëve të pazëvendësueshëm, Makavejev, Mekas, Hammer dhe Varda, filmbërës që kanë lënë gjurmë të thella në të gjitha imazhet që kemi parë dhe ato që do i shohim” thotë Nurkollari. “Nuk kemi arsye të ndjejmë pikëllim për ta — por vetëm për mungesën që shkaktuan në ne.”

Festivali edhe në këtë edicion do të ofrojë një program të begatshëm përmes performansave audiovizuale dhe koncerteve në kuadër të programit të DokuNights. Një nga eksperiencat e veçanta vjen përmes performancës së Caterina Barbieri, që është kompozitore italiane e cila eksploron tema që ndërlidhen me inteligjencën artificiale dhe perceptimin e zërit të orientuar në objekte – me fokus të veçantë në minimalizëm. Caterina eksploron efektet psiko-fizike të përsëritjes si dhe të funksioneve të bazuara në modele të caktuara duke hetuar potencialin polifonik dhe poli-ritmik të pajisjeve sintetizuese me anë të së cilave nxjerr gjeometri të ashpra dhe komplekse në hapësirë dhe kohë.

Nita Deda tregon për albinfo.ch për shaqjet speciale të edicionit të sivjemë të DokuFest. “Jemi jashtëzakonisht të gëzuar t’ju njoftojmë se filmi Shkrepëtima i Petrit Halilajt do të ketë një shfaqje speciale në DokuFest. Filmi ndjek projektin artistik me po të njëjtin emër i cili ndezi një dritë në komunitetin e fshatit të artistit Halilaj, në Runik.”

Filmi do të ketë premierën kombëtare në Lumbardh, me datën 08 Gusht dhe do të përcillet me një diskutim mes Petrit Halilaj dhe kuratorit Leonardo Bigazzi.

Znj. Deda po ashtu tregon për programet të cilat do ti japin një hapësirë të veçantë edhe shfaqjeve speciale ku artistët shqipëtarë kanë kontribuar në forma të ndryshme. Shfaqja speciale e dokumentarit të BBC-së ‘Forgiving the Blood’ në regji të Melissa Lleëelyn Davis dhe me Lala Meredith-Vulën si hulumtuese kryesore ndjek lëvizjen masive për faljen e gjakmarrjes që zuri fill në mesin e popullatës shqiptare në vitet e 90a.  Nita Deda shprehet krenare që festivali e shfaqja e parë publike e këtij filmi në Kosovë, ndodh në DokuFest me datën 7 Gusht, tek Kino Lumbardhi duke filluar prej orës 20.00. Melissa Lleëelyn Davis, Lala Meredith Vula dhe Neriman Kamberi do të jenë prezentë dhe do të marrin pjesë në një diskutim pas shfaqjes së filmit.

“Pas rrugëtimit filmik të tij nëpër Evropë, jemi tejet të lumtur të ju njoftojmë se filmi Në Mes/In Between do të ketë një shfaqje speciale në edicionin e tetëmbëdhjetë të DokuFest. Filmi prezanton debutimin e parë të regjisorit tonë Samir Karahoda si dhe pjesëmarrjen e parë të shtetit të Kosovës në Berlinale Shorts dhe vjen në DokuFest si premierë vendore.

Ekipi dhe disa nga protagonistët e filmit do të jenë pjesëmarrës gjatë shfaqjes së filmit të Premtën më 9 gusht në Kino Lumbardhi duke filluar nga ora 20:15.

Përveç programit të filmave dhe muzikës, edhe për këtë vit, kemi kuruar një program special për më të veçantit tanë të DokuKids, me plot filma, punëtori të animacionit, vallëzime, lojëra e dëfrim!

DOKU.TECH sjell një përzgjedhje diverse të folësve nga gjithë bota, aftësia e të cilëve për të parë gjërat më ndryshe, për të shfrytëzuar teknologjinë si avantazh, për të përfytyruar botë të reja dhe testuar po atë vizion kundër realitetit aktual u mundëson atyre të bëjnë ndryshime të vërteta në kryqëzimin teknologjik, shoqëror, kulturor, mediatik dhe ekonomik.

Puna jonë përgjatë vitit do të kulminojë me prezantimn e 18 filmave të prodhuar përmes programeve edukuese të departamentit tonë DokuLab. “Asnjëherë nuk kemi dyshuar në potencialin e rinisë sonë.” u shpreh për albinfo.ch kreu i DokuLab, Eroll Bilibani, i cili është i angazhuar për ta zgjeruar këtë program edukimi si dhe programin e kinemasë udhëtuese. “ E vërteta është se, jemi jashtëzakonisht krenarë nga arritjet e këtyre talentëve të rinj të cilat ndodhën në mes të dy edicioneve të festivalit dhe ne mezi presim ta festojmë së bashku këtë sukses me partnerët dhe audiencën tonë të veçantë.”

E një nga të veçantat e këtij edicioni është shtrirja e programit të festivalit edhe në lagjet e ndryshme të Prizrenit përmes programit “Kino Mahalla”. Filmat në këto lagje që ndodhen në periferitë e qytetit do të vijnë përmes Kinemasë Solare që është një koncept i ri në krijimin e programeve kualitative për lokacionet ku mungojnë hapësira kulturore për komunitetin që jeton aty.

Program i veçantë për diasporën

Eroll Bilibani po ashtu tregon për një iniciativë shumë të veçantë që ka për qëllim krijimin e programeve të dedikuara për diasporë. “Ne e dimë që shumë bashkatdhetarë që jetojnë kryesisht në shtetet europiane i planifikojnë pushimet e tyre me datat e festivalit dhe e ndiejmë një përgjegjësi për t’iu ofruar një program që ndërthur jo vetëm filmin, muzikën, trashëgiminë kulturore, por edhe një eksperiencë gastronomike dhe potencialin turistik që ofrojnë bukuritë natyrore përreth Prizrenit.” Ai po ashtu tregon që DokuFest do të përpiqet të krijojë mundësi interaksioni me diasporën në mënyrë që të sigurojë informata të sakta për interesimet e bashkatdhetarëve që vizitojnë Prizrenin gjatë DokuFest, në mënyrë që të krijohen pako permanente që mund të aplikohen edhe në periudha tjera të vitit.

Pakoja për edicionin e sivjemë të DokuFest mund ta gjeni në faqen e fundit të numrit më të ri të Magazinës albinfo.ch, shprehet Eroll Bilibani, Head of DokuLab/ Albinfo/ KultPlus.com

Të ngjajshme