Dokumentari “Biggie: I Got A Story To Tell” së shpejti në Netflix

16 Shkurt, 2021 - 10:25 am

Platforma gjigante digjitale Netflix e ka paralajmëruar lansimin e një dokumentari të ri, për jetën e reperit Notorious B.I.G. me titull, “Biggie: I Got A Story To Tell”.

Ky film i cili për producente ekzekutive e ka nënën e reperit të ndjerë, Violetta Wallace dhe reperin e famshëm Sean “Diddy” Combs, do të lansohet në këtë platformë më 1 mars të këtij viti, pak kohë para përvjetorit të 24-të të vdekjes së tij.

“Biggie: I Got A Story To Tell” e rrëfen fëmijërinë e reperit legjendar dhe rrugëtimin e tij drejt famës, ndërsa në të shfaqen yje të njohur të muzikës, si Faith Evans, anëtari i grupit “Junior M.A.F.I.A.”, Lil Cease dhe të tjerë.

Dokumentari në fjalë po promovohet me frazën: “Çdo legjendë e ka një tregim të prejardhjes”. Ai e feston jetën e reperit dhe tekstshkruesit të njohur për publikun mbarë botëror, nëpërmjet pamjeve të rralla prapa skenave dhe dëshmive të disa prej miqve dhe familjarëve të tij të ngushtë.

Christopher Wallace, i njohur me emrin skenik Notorious B.I.G., vazhdon të jetë një prej ikonave të muzikës Hip-Hop, i shquar për stilin e veçantë të të performuarit dhe tekstet autobiografike në këngët e tij.

Në muajin nëntor të vitit 2020, reperi i ndjerë Notorious B.I.G. u nderua me përfshirjen në shtëpinë e të famshmëve të Rock & Rollit, me ç’rast Diddy e dha një fjalim prekës në kujtim të tij.

Reperi nga New Yorku është një prej yjeve të paktë që është nderuar në këtë mënyrë gjatë vitit të kaluar, krahas yjeve tjerë të muzikës si Whitney Houston, bendet “T. Rex”, “Nine Inch Nails”, “Depeche Mode” dhe të tjerë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme