Dokumentari i Sean Penn për Ukrainën premierë në Berlinale

24 Janar, 2023 - 10:30 am

Premiera e dokumentarit të Sean Penn, “Superfuqia”, i cili u xhirua në Ukrainë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të shfaqet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, në Berlin të muajit të ardhshëm, njoftuan sot organizatorët.

“Më shumë se një dokumentar, “Superfuqia” është kronika e një projekti filmik që realiteti e detyroi ta ndryshojë në diçka më pak të kontrollueshme, por më kuptimplotë”, thuhet në një deklaratë të festivalit.

Aktori dhe regjisori amerikan, fitues i çmimit Oscar, ishte në kryeqytetin ukrainas në shkurt 2022, ndërsa Rusia nisi sulmin e saj në shkallë të plotë.

“Vendi ynë i është mirënjohës për trimërinë dhe ndershmërinë që ai ka”, shkroi zyra e presidentit të Ukrainës në Facebook, vitin e kaluar.

Berlinale, e cila zhvillohet nga 16 deri në 26 shkurt, është një nga festivalet kryesore të filmit në botë, krahas atyre të Kanës dhe Venecias.

Në këtë edicion do të shfaqen 18 filma në garën për Ariun e Artë, çmimi kryesor i dhënë për filmin më të mirë.

Dokumentari i Penn nuk do të hyjë në garën e çmimeve, por do të shfaqet në serinë “Special Gala”.

Të ngjajshme