Drama sociale “Dita zë fill”, mbrëmë erdhi premierë në Prishtinë (VIDEO)

8 Dhjetor, 2017 - 12:25 pm

Ky film i cili është propozim i Shqipërisë për Oscar, ka nisur një rrugëtim të suksesshëm qysh me premierën botërore në “Sarajevo Film Festival”, ku aktorja e këtij filmi Ornela Kapetani ka fituar çmimin “Zemra e Sarajevës”, si aktorja më e mirë e festivalit, sikurse që ky film ka fituar edhe çmimin ‘Golden Sun’, filmi më i mirë në Cinedays Fest of European Film.

Gili Hoxhaj

Filmi shqiptar i metrazhit të gjatë “Dita zë fill”, me regji të Gentian Kocit, erdhi mbrëmë premierë në ekranin e Kinemasë ABC, në Prishtinë, shkruan KultPlus. Ky film i cili është propozim i Shqipërisë për Oscar, ka nisur një rrugëtim të suksesshëm qysh me premierën botërore në “Sarajevo Film Festival”, ku aktorja e këtij filmi Ornela Kapetani ka fituar çmimin “Zemra e Sarajevës”, si aktorja më e mirë e festivalit, sikurse që ky film ka fituar edhe çmimin ‘Golden Sun’, filmi më i mirë në Cinedays Fest of European Film.

E gjitha ngjarja e këtij filmi zhvillohet nga loja e aktorëve: Ornela Kapetani, Suzana Prifti, Hermes Kasimati, e Adela Gjoka. Violeta Kurti, është subjekti kryesor rreth së cilës përqendrohet gjithë historia e filmit. Një grua, e ndodhur në një situatë të vështirë financiare, nxirret jashtë apartamentit të saj pasi që qiraja e saj nuk është paguar për muaj.

Ajo nuk ngec në përpjekjet e saj për t’iu kundërvënë situatës në të cilën ndodhet, derisa me foshnjën e saj një vjeçare braktis apartamentin dhe zhvendoset në një strehë të re, ku kujdeset për gruan e moshuar, Sofian. Jeta e saj sillet në kujdesin e dy gjeneratave, e një fëmije i cili ka jo shumë kohë që ka ardhur në jetë dhe një gruaje të moshuar e cila çdo ditë e më shumë prek fundin e jetës së saj.
Leta, e ndodhur në një apartament në Tiranë, ajo paguhet nga e bija e gruas së moshuar për kujdesin ndaj gruas e cila qëndron e shtrirë pas shtratit. Ajo për të siguruar mbijetesën e saj, duhet ta mbaj Sofien në jetë me çdo kusht. Regjisori Koci, e ka vendosur personazhin e gruas së re brenda zgjidhjeve ekstreme. Ajo me shikimin e saj të ftohtë, ecën mes rrugëve të Tiranës , e kthehet tek apartamenti i saj ku mes lodhjeve dhe përpjekjeve të pareshtura mban Sofien në jetë. Jeta e saj bredh nga një ditë në tjetrën, shpesh me vështrimin e saj drejt qiellit bluan mendimet për ditët e saj. Është i vetmi personazhi i postierit, ai i cili sjellë pak gjallëri në fytyrën e ngrysur të Letës.

Ajo derisa luftën kryesore e ka për mbijetesë, lufton edhe për të mbajtur frymën e të tjerëve në jetë, e ndodhur në dhimbjet e rënkimet e tyre, ajo ndodhet në një situatë ku mban në duar timonin e jetës së tyre. Pikërisht para këtij vendimi, kjo dramë ndërlidh edhe një element, jo shumë të prekur në kontekstin social të shqiptarëve, që është eutanazia.

Ky film do të qëndrojë për një javë në reportorin e Kino ABC dhe në DokuKino. Orari i rregullt i filmit është ora 20:00 ABC, në Prishtinë dhe duke filluar nga ora 19:30 në DokuKino, në qytetin e Prizrenit. /KultPlus.com

Të ngjajshme