Duartrokitja më e gjatë i dhurohet Bekim Lumit

31 Korrik, 2018 - 2:58 pm

Alberina Haxhijaj

Regjisori Bekim Lumi ka marrë me qindra duartrokitje, për punën e tij si regjisor, gazetar apo thjeshtë si një mik i dashur, nga njerëzit që e kanë rrethuar. Mirëpo, duartrokitjet me të gjata, të mbushura me plot dashuri dhe njëkohësisht edhe me mungesë dhe krenari i mori sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Emri Bekim Lumi nuk do të harrohet asnjëherë, ai emër është gdhendur së bashku me historinë e Teatrit Kombëtar të Kosovës por jo vetëm aty. Për këtë njeri aq të fuqishëm asnjëherë nuk do të mungojnë fjalët dhe shfaqjet e tij do mbesin të pavdekshme.

Ai do njihet posaçërisht për shfaqjen e tij “Arturo Ui”, ëndrrën e mistershme, të bukur dhe të gjatë të Bekim Lumit. Edhe sot kur skenës së teatrit do i mungojnë projektet e tij të reja, mjafton kjo shfaqje për të parë gjithë dashurinë e Bekimit për teatrin por edhe një reflektim të Kosovës së tij. Një shfaqje e cila është edhe testamenti i tij i fundit artistik.

Prandaj si mund të kujtohej ai ndryshe sot, gjatë homazhit që i’u bë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, përveç se pikërisht më këtë shfaqje. Ndoshta, ai sot ishte edhe pjesë e saj më shumë se kurrë.

Arkivoli i tij qëndronte në skenë i gërshetuar me skenografinë e shfaqjes së tij gjersa aktorët vazhdonin shfaqjen duke shkëlqyer si çdo herë në lojën e tij, filigran.

Shfaqja “Arturo Ui” është një shfaqje e krijuar mbi tekstin e dramaturgut të shquar gjerman dhe botëror, Bertoltt Brecht. Ajo pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet 30’ të shekullit XX.

“Kur e shohim gjithë këtë dhembje dhe dashuri për Bekimin e kuptojmë se sa të lumtur ishim ne dhe ju me Bekimin. Disa prej jush patët fatin të jeni aktorë të shfaqjeve skenike të Bekimit kurse shumë të tjerë ishit aktorë të dramës jetësore dhe të momenteve shumë të vështira shëndetësore të Bekimit”, u shpreh në emër të familje, motra e regjisorit, Drita Lumi.

E fjalimi i saj para të pranishmëve mjafton për të kuptuar sadopak rendësin e madhe që ka pasur arti dhe teatri për regjisorin.

“Bekimi përmes shfaqjeve të tij e sidomos kësaj të fundit na e la një lamtumirë artistike por njëkohësisht na e dha edhe një mesazh të fortë politik për gjendjen në Kosovë. Bekimi na sfidoi të gjithëve. Ai punoi aq shumë edhe pse ishte i sëmurë dhe la porosinë që ne të tjerët të zgjohemi dhe të punojmë më shumë , që të mos kemi arsim injorant, shëndetësi të degraduar e të sorollatemi dyerve të Evropës dhe e të mos kemi art hiq”, përfundon ajo, duke i falënderuar të gjithë dhe duke u larguar ngadalë nga skena, aty ku arkivoli i regjisorit tani qëndron në qendër.

“E kur të gjitha ëndrrat të janë zhdukur dhe nuk di se ç’të pret,
mos mendo se vdekja është fundi!
Nuk është fundi, nuk është fundi,
ki parasysh që vdekja nuk është fundi.”
, janë fjalët që kumbojnë në teatër nga Afrim Kasapolli.

Ai i drejtohet regjisorit më vargjet e Bob Dylan-it, këngëtarit i cili fitoi Nobelin në letërsi gjersa shoqërohet në piano nga Luan Durmishi.

Tingujt e fundit të kësaj këngë, shënojnë edhe fundin e homazhit për regjisorin, të cilit i jepet lamtumira më duartrokitje.

Kështu kishte kërkuar edhe regjisori ndoshta si thirrje edhe për ngjalljen e kulturës. Duartrokitje këto të cilat ishin më të gjatat që i mirëpriti Teatri Kombëtar i Kosovës ndriçuan shpirtin e Bekim Lumit.

U prehtë shpirti i tij në paqe!./ KultPlus.com

Të ngjajshme