“Duel i heshtur” dhe “Horizonte të hapura”, së shpejti në kinemanë franceze

5 Prill, 2024 - 4:30 pm

Dy filma shqiptarë prezantohen para publikut francez në festivalin e filmit europian L’Europe autour de l’Europe, në një program të kuruar nga Roland Sejko.

“Duel i heshtur” i regjisorit Dhimitër Anagnosti, prodhuar në 1967-ën dhe “Horizonte të hapura” nga Viktor Gjika, i vitit 1968, do të shfaqen në datë 11 prill, në kinemanë Studio des Ursulines, si pjesë e programit TEMA: Takime & Ngjarje. 

Dy regjisorët shqiptarë Anagnosti dhe Gjika do të prezantohen krahas 2 regjisorëve të tjerë të mëdhenj të kinemasë europiane, Emir Kusturica dhe Albert Serra.

Programi i 2 filmave shqiptarë ka në qendër figurën e heroit, një temë që do të shtjellohet nga kuratori Roland Sejko gjatë prezantimit të dy filmave në Paris.

Në faqen online të AQSHF shkruhet se “Kinemaja shqiptare e prodhuar gjatë regjimit komunist nga viti 1953 deri në vitin 1990 është një kinema heronjsh. Në të vërtetë, “heroi” ose, në kuptimin e realizmit socialist, “heroi pozitiv” është në qendër të pothuajse çdo filmi, e rreth tij rrotullohen të gjithë personazhet apo ngjarjet e tjera. Sipas përkufizimit sovjetik, ky hero është modeli ideal, shembulli që të gjithë duhet të ndjekin në një nga bazat e ideologjisë dhe propagandës shqiptare, “luftën për krijimin e Njeriut të Ri”.

Programi shfaqet me bashkëpunimin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Ambasadën e Shqipërisë në Francë. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme