Edicioni i 4-të i Kosovo Theatre Showcase nis me shfaqjen “La Rrem”

1 Nëntor, 2021 - 2:40 pm

Edicioni i 4-të i Kosovo Theatre Showcase nis nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës me shfaqjen “La Rrem” të Arian Krasniqit e në regji të Kushtrim Koliqit. Showcase i këtij viti mbahet prej 2 deri më 7 nëntor në Prishtinë, Ferizaj e Gjilan ndërsa bashkon në Kosovë, rreth 50 drejtues festivalesh, kritikë, gazetarë e profesionistë të tjerë të teatrit nga rajoni e bota të cilët do të kenë mundësinë të shohin prodhimtarinë më të fundit teatrore në Kosovë.

Shfaqja “La Rrem” është një rekuiem muzikor për aktorin, regjisorin, këngëtarin e kompozitorin Muharrem Qena ndërsa në vete ngërthen pasionin e artistit për të bukurën e artin.

“La Rrem” i flet botës dhe kësaj kohe, në cilindo rast. Kjo është më shumë se një dramë muzikore: është pasioni e emocioni i një talenti të rrallë të një artisti të madh. Drama e tij është edhe drama jonë”, thuhet në deklaratën e producentëve të shfaqjes.

Në shfaqjen “La Rrem” luajnë: Malazogu, Ylber Bardhi, Shengyl Ismaili, Arta Selimi, Flaka Latifi, Bujar Ahmeti, Tristan Halilaj. Muzikën e ka komponuar e aranzhuar Trimor Dhomi ndërsa në skenë luajnë instrumentistët: Leonard Canhasi, Teoman Ukça, Edmond Gjinolli e Ermal Sadiku.

Këtë vit Showcase-i prezenton 10 performanca teatrore nga Kosova dhe rreth 4 të tjera nga rajoni dhe Evropa./KultPlus.com

Të ngjajshme