‘Ekrani i Artit’, festivali i filmit që do të zhvillohet në oborret shkodrane

31 Maj, 2023 - 2:58 pm

Oborret e bukura shkodrane do të kthehen në kinema të hapura e skena muzikore përgjatë 5 ditëve. Lajmin e jep ministrja e Kulturës, Elva Margariti, përmes fotove nga posterat e “Ekranit të Artit” që ndau në rrjetet sociale.

Bëhet fjalë për nisjen e edicionit të 6-të të Festivalit të Filmit “Ekrani i Artit”, me drejtor Adrian Pacin.

Festivali do të zhillohet për 5 ditë, në 5 vendqëndrime të ndryshme, përfshirë edhe një hapësirë buzë liqenit.

“Me kënaqësi e mbështetëm edhe këtë vit këtë festival, që bën bashkë filmin, muzikën e performancat artistike, duke i dhënë edhe më shumë jetë Shkodrës, këtij poli kulturor historik”, u shpreh ministrja Margariti.

Ndërkohë drejtuesi artistik i festivalit, Edi Muka ka deklaruar se ky edicion do të përqendrohet tek kinematografia suedeze.

Programi parashikon shfaqjen e 60 filmave. Ndër mbështetësit e këtij festivali janë Ambasada Italiane dhe Instituti Italian i Kulturës./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme