Elton John: Taron Egerton meriton Oscarin për “Rocketman”

10 Janar, 2020 - 9:00 am

Elton John u ka bërë thirrje votuesve për çmimet Oscar që t’ia japin atë të Aktorit më të mirë Taron Egertonit për portretizimin e tij në filmin “Rocketman”.

Taron e ka fituar një vlerësim kritik për performancën e tij në biopik, dhe ishte fitues befasues i çmimit për Aktorin më të mirë në kategorinë filmike, Komedi ose Muzikor në “Golden Globe Awards”, të dielën (5 janar).

Duke folur me podkastin Awards Chatter të Hollywood Reporter Eltoni shprehu shpresën e tij që anëtarët e Akademisë së Arteve dhe Shkencave ta shpërblejnë atë me “Oscar”.

Image

“Taron – kur po e shikoja atë, po mendoja, ‘Ky jam unë! Ky jam unë!’”, thotë ai, “Thjesht mendoj se është fenomenale dhe më të vërtetë mendoj se ai e meriton “Oscarin” më shumë se kushdo që e kam parë këtë vit”.

Aktori uellsian i këndoi të gjitha hitet e yllit të këngës “Your Song” në biopik, i cili përfshiu anët e mira dhe të këqija të karrierës së Eltonit dhe betejave me alkoolin dhe abuzimin e drogës.

Duke e shprehur krenarinë e tij që filmi ishte një sukses i madh në arkat kinematografike, duke i fituar pothuajse 200 milionë dollarë në të gjithë botën, Elton shtoi: “Doja t’i tregoja tërë udhëtimin, rreziqet e tij dhe shpengimin.

“Dhe, ajo që është mbresëlënëse, për një film me vlerësim R, ai i fitoi 100 milionë dollarë në Amerikë. Vërtet mund të them sinqerisht se nuk do të ndryshoja asgjë për të”.

Të kandiduarit e sivjetshëm për “Oscar” do të shpallen të hënën. /KultPlus.com

Të ngjajshme