2 Shtator, 2025 - 11:22 pm
Aktori amerikan Ethan Hawke ka rrëfyer së fundmi se ka qenë fillimisht në garë për rolin legjendar të Jack Dawson në filmin “Titanic”, rol që në fund e fitoi Leonardo DiCaprio.
Në një intervistë për British GQ, 54-vjeçari u shpreh se humbja e rolit ishte një bekim i fshehur.
“Nuk mendoj se do ta kisha përballuar atë nivel suksesi aq mirë sa Leo. Ai ishte si një Beatle,” tha ai me sinqeritet.
Filmi i regjisorit James Cameron fitoi çmimin Oscar për Filmin më të Mirë dhe e ktheu DiCaprion, atëherë vetëm 23 vjeç, në një ikonë të Hollivudit. Ky rol i hapi rrugën për projekte madhore si “Catch Me If You Can”, “The Aviator” dhe “Blood Diamond”. Pas shumë kandidimesh, aktori fitoi më në fund Oscar-in për “The Revenant” në vitin 2016.
Ndërkohë, Ethan Hawke ndërtoi një karrierë të qëndrueshme me role të paharrueshme në filma si “Dead Poets Society”, “Reality Bites” dhe trilogjinë “Before Sunrise”. Në vitin 2001 ai u nominua për Oscar me filmin “Training Day”.
Hawke kujtoi edhe një moment frymëzues me kolegun Denzel Washington në atë kohë:
“Denzel më tha: ‘Është më mirë që nuk fitove. Humbja është më e mirë.’ Dhe kishte të drejtë. Nuk duhet të jetë një çmim që ta rrit statusin – ti duhet ta rritësh statusin e çmimit.”/KultPlus.com