Ethet e “Oscars 2022” në KultPlus Caffe Gallery, ftojmë komunitetin që t’i ndajmë emocionet

7 Shkurt, 2022 - 10:15 pm

Pas 21 çmimeve nga mbarë bota, filmi me regji të Blerta Bashollit, “Zgjoi”, ka shkruar histori me shkronja të arta, duke thyer rekorde në shumë festivale të cilat ka marrë pjesë, ndërsa tani ëndërron për “Oscars 2022”, shkruan KultPus.

Deri më tani kemi parë një udhëtim të jashtëzakonshëm të këtij filmi që po pret të shënojë një kapitull tjetër, aty ku suksesi arrin nivelin më të lartë, atë të “Oscars”.

Lista përfundimtare do të bëhet e ditur më 8 shkurt, në qoftë se filmi “Zgjoi” do të marrë pjesë në ceremoninë gala më 22 mars, me ç’rast gazeta online mbi artin dhe kulturën, KultPlus bënë thirrje që i gjithë komuniteti artistik dhe jo vetëm, të jenë pjesë e festës në KultPlus Caffe Gallery, në një ditë të mbushur me plot ethe, shpresë, besim e dashuri me bollëk.

Andaj, nesër duke filluar nga ora 12:00 e tutje, KultPlus Caffe Gallery do të bëhet shtëpia që pret rezultatin e shumëpritur nën atmosferën e ngrohtë shpirtërore që vendi sjell.

“Zgjoi” po tenton që të arrijë në majën e lartë e të artë duke u nominuar për çmimin më të mirë ndërkombëtarë në Akademinë e Arteve.

Ceremonia e 94-të e Çmimeve të Akademisë, e prezantuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, do të nderojë filmat më të mirë të publikuar nga 1 marsi deri më 31 dhjetor 2021 dhe është planifikuar të zhvillohet në Teatrin Dolby në Hollywood më 27 mars 2022. 

Ndërkohë, kujtojmë se votimi nga anëtarët e kësaj Akademie ka filluar më 27 janar. / KultPlus.com

Të ngjajshme