”Event Horizon” bëhet seri

8 Gusht, 2019 - 3:30 pm

Për adhuruesit e filmit “Event Horizont” ka mbërritur lajmi i mirë: Amazon dhe Paramount Television po i bashkojnë forcat për ta bërë adaptimin e kult filmit fanta-shkencor të vitit 1997.

Filmi origjinal ishte bërë me regji të Paul WS Anderson, sipas skenarit të Philip Eisner. Filmi bënte fjalë për një anije kozmike e cila ishte zhdukur pas një testimi të makinës eksperimentale të aftë për të krijuar vrimë të zezë artificiale, e cila duhej ta ndihmonte anijen të udhëtonte në vendet e largëta në galaktikë.

Ekuipazhi i shpëtimit dhe krijuesi i asaj makine eksperimentale u dërguan në një mision për të hetuar se çfarë kishte ndodhur me anijen pasi ishte rishfaqur në mënyrë misterioze. Ata zbulojnë se anija kishte përfunduar në një destinacion nga ferri, jashtë universit të njohur, i cili e infektoi anijen me një ndjenjë të kobshme gjë që çoi në vdekje të shumta.

Sam Neill, Laurence Fishburne, Sean Pertwee dhe Jason Isaacs ishin në ekipin e aktorëve të filmit origjinal, ndërsa tani për tani nuk dihet nëse do t’i shohim edhe në adaptimin televiziv.

Adam Wingard do të punojë në seri si producent ekzekutiv, ndërsa nëse gjithçka shkon sipas planit, duhet ta marrë edhe rolin e regjisorit.

Tani për tani nuk dihet se kur mund të shfaqet seria. /KultPlus.com

Të ngjajshme