Fatlume Bunjaku: Roli i Emës erdhi në momentin e duhur

8 Korrik, 2018 - 7:00 pm

Me skenar dhe regji të Ardit Sadikut “Mali i harrum”, është filmi i cili sapo ka përfunduar xhirimet në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Aktorët që kanë zbritur deri në Theth për ti dhënë formë këtij filmi të metrazhit të gjatë janë në përbërje të: Xhevat Qorraj, Fatlume Bunjaku, Agron Shala, Kastriot Shehi, Merita Gjyriqi, Agron Disdari, Igballe Qena… Dhe pikërisht këta aktorë nga Kosova dhe Shqipëria, nëpërmjet karaktereve të tyre, të cilët, nga regjisori Ardit Sadiku janë përzgjedhë me qëllim të jetësimit të skenarit sa më mirë, pasi që, skenari ishte shkruar në dialektin geg, dhe sipas regjisorit Sadiku, piwrkisht pwr kwtw fakt, aktorët e këtij filmi vijnë nga Veriu i Shqipërisë dhe Kosova.

Sadiku ka shpjeguar se në këtë film bëhet fjalë për një të moshuar në pension, që e gjen vetën jashtë shtëpisë së tij nga djali tij i papunë. “Pasi e humbë pronën mbështetet te vajza edhe te dhëndri. Ata udhëtojnë në Alpe, ku e ka dhëndrri një shtëpi, në një përpjekje që të gjejë paqe dhe për të pushuar pak nga problemet, por ja që as aty nuk gjejnë dot paqë, sepse ndodhin shumë të papritura”, ka shpjeguar mbi temën e këtij filmi regjisori Ardit Sadiku, të cilit i është përshtatur mjaftë mirë edhe ambienti i fshatit Theth.

Mirëpo, në këtë film që ka për bazë një temë sociale, aktorja kosovare Fatlume Bunjaku, duket ta ketë pas rolin më të rëndësishëm në karrierën e saj, pasi që është filmi i parë që i është besuar një rol kaq i madh, ai i Emës.

Bunjaku e cila tashmë ka dëshmuar vetën në disa role të rëndësishme në teatër dhe në filma të shkurtë, këtë rol e konsideron tejet të vecantë, pasi që, sipas saj, roli i Emës ka arritë të ngjallë përjetimin e rolit, qysh në leximin e parë të skenarit.

“Gjërat dhe emocionet që perjeton Ema në film, unë personalisht nuk i kam përjetuar deri më tani në jetën reale, dhe kjo ndoshta ka qenë e bukura, sepse më është dhënë mundësia të gjurmoj, të zbuloj e të mësoj shumë se deri ku mund të shkoj një femër apo dhe vetë qenia njerzore”, ka thënë Bunjaku.
Duke e vlerësuar temën e filmit, rolin e saj, mesazhin që bartë dhe krejt përkushtimin maskimal të ekipit, ajo është shprehur të jetë optimiste për këtë projekt.

Pavarësisht se konsiderohet të jetë roli më i madh i saj, Bunjaku ka thënë për KultPlus se ajo cdo rol që merr i jep mundësi që të piqet edhe më shumë si aktore.

“Mirëpo, roli i Emës mendoj që erdhi në momentin e duhur, dhe nëse kam bërë punë të mirë në këtë projekt, shpresoj që të më hapë dyert edhe për projekte tjera filmike”, ka thënë Bunjaku, e cila ka vlerësuar përvojën që ka marë nga kolegët e tjerë në film, sidomos nga Xhevat Qorraj, i cili edhe e bartë rolin e babait të saj në këtë film.

Kurse regjisori Ardit Sadiku krejt në fund ka thënë se ky projekt ka pasë sfidat e veta, pothuajse si cdo projekt tjetër filmik. Kurse për temën që ka përzgjedhë për këtë film, Sadiku ka thënë se është fokusuar në një rrëfim social, pasi që, i bëjnë përshtypje njerëzit dhe problemet e tyre, sikurse edhe pamundësia e tyre për të marrë vendime, pasiguria ekonomike…Regjisori Sadiku jeton në Los Angeles kurse ky film është iniciativë e tij private./KultPlus.com

Të ngjajshme