21 Korrik, 2025 - 1:04 pm
Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar ka shpallur fituesit e edicionit të 16-të në ditën përmbyllëse më 20 korrik, duke finalizuar kështu plot një jave të suksesshme me animacion, diskutime dhe energji krijuese në Pejë.
Në ngjarjen përmbyllëse të festivalit ishte i pranishëm edhe Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Krijimet më të spikatura të këtij viti të cilat u përzgjodhen në disa kategori garuese, sollën rrëfime që prekin, sfidojnë dhe shtrojnë pyetje thelbësore për kohën në të cilën jetojmë, në përputhje me temën e këtij edicioni të festivalit: “WTF – What’s the Future?”.
Mes kategorive garuese të këtij edicioni ishin:
Garat ndërkombëtare dhe ballkanike me juri: Helga Fodorean, menaxhere kulturore dhe producente filmash, Laura Almantaitė, drejtoreshë festivalesh dhe producente filmash, Marko Tadić, artist me përvojë në vizatim, instalacion dhe animacion, Tal Kantor, regjisore dhe fituese çmimesh ndërkombëtare, dhe Tomek Popakul, drejtor i animacionit i njohur për filmat Ziegenort, Acid Rain dhe Zima.
Garat studentore dhe programi “Pitch It!” me juri: Bastien Dubois, regjisor francez, Rianne Stremmelaar, regjisore dhe ilustratore, dhe Vasco Sá, bashkëthemelues i BAP-Animation Studios.
Garat për filmat për të Drejtat e Njeriut dhe video animacioneve muzikore, për të cilat gjykuan: Anna Vasova, skenariste dhe producente, Draško Ivezić, regjisor filmash të animuar, skenarist, producent, aktor zëri, dhe bashkëthemelues i Adriatic Animation në Kroaci, dhe Yves Nougarede, programues filmi në Festivalin Ndërkombëtar të Animacionit Annecy.
Garat për audiencën e të rinjve me juri pesë të rinj nga Kosova: Leka Gjonbalaj, artist autodidakt i specializuar në pikturë me vaj, art mural dhe dizajn karakteresh, Rina Lasku, artiste vizuale dhe animatore nga Gjakova, Rrezarta Sadriu, animatore 2D dhe tregimtare vizuale, Gent Ademaj, animator dhe dizajner grafik, dhe Alisa Fejza, animatore dhe artiste multimediale, përcjellë KultPlus.
Në kategorinë garuese ndërkombëtare, çmimin kryesor e fitoi filmi “Dog Alone”, me regji të Marta Reis Andrade, një rrëfim emocional që flet për vetminë, braktisjen dhe lidhjet njerëzor përmes një paralelizmi të ndjerë midis një qeni të harruar dhe përvojave personale të regjisores.
Për këtë kategori, juria ndau gjithashtu çmimin “Përmendje e Veçantë” (Special Mention) për filmin “Dollhouse Elephant”, me regji të Jenny Jokela, duke vlerësuar se filmi i prek të gjitha shqisat e njeriut.
Në kategorinë garuese të filmave nga Ballkani, çmimin e parë e mori filmi “How”, me regji dhe skenar te Marko Meštrović, i cili flet për qenien dhe kalimin përmes fazave të pafundme të ekzistencës.
Në garën studentore, triumfues ishte filmi “Children of the Bird,” i Julia Tudisco, një film mitologjik fiktiv rreth lindjes dhe vdekjes së planetit tonë. Juria vlerësoi se filmi lidhet thellësisht me temën e sivjetshme të festivalit “Çfarë është e ardhmja?” e cila është më urgjente se kurrë.
Ndërkaq, dy përmendje të veçanta shkuan për “The Eating of an Orange” nga May Kindred-Boothby dhe “Poppy Flowers” nga Evridiki Papaiakovou.
Çmimin e parë në garën e programit “Pitch It!”, i cili ofron një hapësirë për prezantimin e projekteve në zhvillim nga animatorë të rinj, e rrëmbeu Flaka Kokolli me projektin “I Still Haven’t Cried.” Në vendin e dytë u rendit Verica Tenekedjieva me projektin “Transporting Woman,” dhe në vendin e tretë Katarina Zaharijev dhe Marija Maletić me “The Last Bookstore in the World.”
Në kategorinë e të drejtave të njeriut, juria e vlerësoi me çmimin kryesor filmin “Romina” me regji të Bee Grandinetti, një film i bazuar në historinë e vërtetë të një vajze 14-vjeçare që përballet me një shtatëzani të paplanifikuar në një shtet në SHBA ku aborti është i ndaluar. Një përmendje e veçantë iu dha filmit “Cimarron,” me regji të Rémi Vandenitte dhe Cédric Bourgeois.
Në garën për video animacionet muzikore, çmimi kryesor i shkoi klipit “feelslikeimfallinginlove” nga Coldplay, me regji dhe skenar te Raman Djafari dhe prodhuar nga Alexander Handschuh. Tema e trajtuar është historia e një çifti shpirtrash binjakë që udhëton mes botëve dhe formave për të gjetur njëri-tjetri. Kurse, përmendja e veçantë shkoi për videon muzikore të Chris Lambourne, “Bob Dylan’s Big Dick.”
Fituesi për kategorinë audienca e te rinjve u shpall Vera van Wolferen me filmin “Down in the Dumps,” një storje që tregon sfidat e një buburreci me vetëvlerësim të ulët, duke na rikujtuar se pranimi i vetes është më i rëndësishëm se pritshmëritë e të tjerëve.
Përmendja e veçantë shkoi për “The Legend of the Hummingbird” nga Morgan Devos, i cili përcon mesazhin se në momentet më të vështira, edhe krijesa më e vogël mund të tregojë guximin më të madh.
Anibar falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, partnerët, dhe publikun për një tjetër edicion që e vendos Pejën dhe Kosovën në qendër të hartës ndërkombëtare të animacionit. Me ide të guximshme, rrëfime të ndjera dhe pyetje provokuese mbi të ardhmen, edicioni i sivjetshëm me temen “WTF” vërtetoi fuqinë transformuese të animacionit./KultPlus.com