19 Qershor, 2025 - 10:16 am
Festivali “Ekrani i Artit” hap siparin në Shkodër.
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ndau në rrjete sociale momente nga ceremonia e hapjes, ku ishin të pranishëm personalitete të fushës së artit dhe kulturës.
Edicioni i tetë i festivalit nis me temën poetike “Kartolina nga Tjetërkund” dhe sjell dy ekspozita të rëndësishme që shoqërun premierën në “Kinema Republika”.
Deri më 22 qershor Shkodra do të jetë kryeqendër e artit me këtë festival që përfshin projekte filmike, ekspozita, diskutime dhe prezenca artistike në vende të ndryshme të qytetit.
Festivali i filmit “Ekrani i Artit”, është një nga eventet më të rëndësishme kulturore të Shkodrës.
“Ekrani i Artit” ka lindur si një projekt që synon të promovojë lidhjet midis artit bashkëkohor dhe kinemasë. Edhe në edicionet e mëhershme, “Ekrani i Artit” e ka njohur publikun me autorë, dokumentarë mbi jetën e krijimtarinë e artistëve bashkëkohorë që zgjojnë interesin e njëkohësisht edhe nostalgjinë e publikut për kinemanë si një institucion i rëndësishëm në edukimin e brezave përmes artit e kulturës.