Festivali ndërkombëtar “Dea open air” në Tiranë, 39 filma në program

22 Qershor, 2022 - 11:30 pm

Festivali ndërkombëtar i filmit “Dea open air”, me 39 filma të huaj dhe shqiptarë, do të zhvillohet në datat 23-28 qershor në Tiranë në edicionin e nëntë të tij, me një program të ndarë në pesë seksione.

Në garë për çmimet “Dea” komisionet e përzgjedhjes paraprake kanë përfshirë në program 39 filma nga 25 vende të botës, të ofruar në katër konkurrime dhe një program special, të cilët ndiqen dhe vlerësohen nga pesë juri profesioniste.

Pas pesë vitesh të suksesshme në Sarandë, “Dea” vjen këtë vit për herë të katërt edhe në Tiranë, për ta ndarë ofertën filmike dhe ekspertizën profesioniste evropiane edhe me publikun, studentët dhe kineastët kryeqytetas.

Filmat e paraqitur dhe autorët që marrin pjesë në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit mars 2022.

Numri i aplikantëve të “Dea open air” ka ardhur në rritje nga viti në vit. Aplikuesit vijnë jo vetëm nga vendet evropiane, por edhe më gjerë, duke i dhënë aplikimit, si në edicionet paraardhëse, gjeografi ndërkontinentale.

Edicioni i nëntë i “Dea open air international film festival” zhvillohet me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Universitetit të Arteve dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës, të cilët krijojnë atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme