Filmi “Elvis walks home” vlerësohet në Portugali

3 Gusht, 2019 - 6:00 pm

Filmi “Elvis walks home” me regji nga Fatmir Koçi ishte pjesë e kompeticionit zyrtar në edicionin e 23 të “AVANCA Film Festival” në Portugali, ku u vlerësua me Special Mention të jurisë. Qendra Kombëtare e Kinematografisë shprehet se ky është vlerësimi i 8 për këtë film deri tani.

“Elvis walks home” (Elvis kthehet në shtëpi) është filmi më i fundit i regjisorit Fatmir Koçi, me skenar nga Jonathan Preece. Tema e filmit është universale. Filmi sjell në vëmendje fatin e disa fëmijëve jetimë, të cilët nga luftërat Ballkanike në vitin 1999 mbetën në rrugë. Një ditë, ata takohen me një imitues të Elvis Presley-t, i ardhur në Ballkan për të argëtuar trupat britanike. Asnjë nuk e di origjinën e tij. Është një shqiptar që ka emigruar dikur në Londër, dhe përpiqet ta harrojë nga ka ardhur.

Rolet në film regjisori ia ka besuar aktorëve të njohur, por dhe emrave të rinj, një pjesë e aktorëve në film janë dhe fëmijët. Mickey luhet nga aktori Dritan Kastrati, i cili ka luajtur edhe në dy filmat e mëparshëm të Koçit, si “Amsterdam Express” dhe “Pit Stop Mafia”. Vetë Kastrati është larguar ilegalisht nga deti dhe ka shkuar me një kamion në Britani të Madhe kur ishte 12 vjeç.

Rolet e fëmijëve refugjatë janë nga Klaus Laçi, Samuel Vargu, Armin Vargu, Vivian Biaggione, Enea Shinjatari, Arber Sinanaj, Lionel Boci, Gledi Spahiu, Jona Anastasi, Naiel Hoxha, Nikolla Shosha, Mikel Jaku, Reis Cani, Laura Cani.

Ndërsa rolet e tjera nga Romir Zalla, Amos Zaharia, Juli Emiri, Faton Gerbeshi, Arbies Komoni, Shkëlqim Bunjaku etj.

Të ngjajshme