Filmi “F1” thyen rekordet dhe bëhet suksesi më i madh në karrierën e Brad Pitt

5 Gusht, 2025 - 9:00 pm

Pas premierës më 27 qershor, “F1: The Movie” është shndërruar në një nga filmat më të suksesshëm të vitit 2025 dhe tashmë edhe më i suksesshmi në karrierën e Brad Pitt.

Me regji të Joseph Kosinski dhe me një histori që ndjek jetën e pilotit fiktiv Sonny Hayes, roli i Pitt ka kapur imagjinatën e publikut botëror, përcjellë KultPlus.

Filmi ka arkëtuar plot 545 milionë dollarë, duke lënë pas hite të mëparshme të aktorit si World War Z, Fight Club apo Inglourious Basterds. Përveç suksesit në kinema, “F1” ka hyrë fuqishëm edhe në kulturën pop: tifozët tashmë veshin fanellat e skuadrës fiktive APXGP, ndërsa krahasimet me pilotët realë të Formula 1 janë të pashmangshme.

Kritikët gjithashtu janë pozitivë. Me një vlerësim 7.9 në IMDB, filmi konsiderohet “argëtues dhe vizualisht mbresëlënës”, me një Brad Pitt në një formë të shkëlqyer. Në listën e filmave më të shikuar të vitit, “F1” renditet në vendin e tetë globalisht, duke lënë pas edhe prodhime të mëdha si Napoleon apo Killers of the Flower Moon.

Ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë një vazhdim, një gjë është e sigurt: Brad Pitt ka dominuar pistën kinematografike si asnjëherë më parë./KultPlus.com

Të ngjajshme