Filmi i Almodovar hap Festivalin e Filmit në Venecia

19 Korrik, 2021 - 6:31 pm

Filmi “Madres paralelas”, nga regjisori Pedro Almodovar dhe me protagoniste Penelope Cruz, do të hapë edicionin e 78-të të Festivalit të Filmit në Venecia, që do të mbahet nga 1 deri më 11 shtator, njoftuan sot organizatorët.

Filmi, ku luan gjithashtu Milena Smit, Israel Elejalde, Aitana Sánchez-Gijón, Julieta Serrano dhe Rossy De Palma, do të konkurrojë për Luanin e Artë si Filmi më i Mirë.

“Unë kam lindur si regjisor në Venecia në 1983 (…) në seksionin “Mezzogiorno Mezzanotte”. 38 vjet më vonë, më thërrasin për të hapur Mostra-n”, reagoi drejtori spanjoll, i cituar në njoftimin për shtyp, transmeton KultPlus.

“Unë i jam me të vërtetë mirënjohës Festivalit për këtë nder dhe shpresoj të jem në lartësinë e duhur”, shtoi ai.

Drejtori i festivalit Alberto Barbera, nga ana e tij, ishte i kënaqur të mirëpriste “këtë portret intensiv dhe të ndjeshëm të dy grave të ballafaquara me temat e një nëne, me kthesa të paparashikueshme, me solidaritetin femëror, me një seksualitet të përjetuar në liri të plotë dhe pa hipokrizi”.

Pedro Almodovar, 71 vjeç, mori një Luan të Artë në Venecia 2019 për Arritjet e Jetës. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme