Filmi ‘Klithma’ i Korab Lecajt shpërblehet në Mumbai të Indisë

9 Shtator, 2019 - 5:30 pm

Filmi i shkurtër artistik “Klithma” në regji të Korab Lecajt, është shpërblyer për montazhin më të mirë në edicionin e shtatë në Indian Cine Film Festival 2019, që mbahet tradicionalisht në Mumbai të Indisë.

 Lajmin e ka bërë të ditur për KultPlus regjisori Lecaj, i cili ka potencuar se ‘’Klithma’’ ka qenë në garë me qindra filma nga vende të ndryshme të botës, përfshirë këtu filma nga Franca, Spanja, India, Brazili, SHBA-të, Gjermania, Izraeli etj.

“Jam shumë i lumtur që filmi ynë ka arritur të shpërblehet në një festival, ku kanë garuar filma nga vende që kanë kinematografi shumë të zhvilluar”, ka deklaruar Lecaj.

Ai ka thënë se, rëndësi të madhe ka edhe shfaqja e temës së filmit në këtë festival, duke pasur parasysh se filmi flet për burrat e dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë.

“Është shumë me rëndësi që këtë temë, e kanë parë artistë nga vende të ndryshme të botës. E kanë parë të vërtetën që ka ndodhur në luftën e Kosovës, ka deklaruar Lecaj.


Ndryshe filmi “Klithma”, producent i të cilit është Besar Zahiti, është përkrahur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Montazhin e filmit e ka bërë Shkodran Hajdini, kurse në rolet kryesore luajnë Hazir Haziri, Arbnesha Grabovci-Nixha, Alban Zogaj, Arjola Demiri, Rajmonda Ahmetaj, Kaltrinë Zeneli etj. /KultPlus.com

Të ngjajshme