Filmi kontrovers “The House that Jack Built”, nga nesër shfaqet në Shqipëri

20 Shkurt, 2019 - 2:37 pm

“The House that Jack Built”, filmi më i fundit i Lars Von Trierit i cili ka trazuar zemrat e publikut dhe kritikës në Festivalin e fundit të Filmit në Kanë për shkak të vrazhdësisë dhe skenave të dhunës, do të vijë në kinematë shqiptare nga data 21 deri më 28 Shkurt, shkruan KultPlus.

Distributori zyrtar për Shqipërinë është Tirana Film Institute, që po e shpërndan këtë film në vazhdim të projekteve të mbështetura nga programi Media i Creative Europe për promocionin e filmave evropianë.

Në filmin më të fundit të Lars von Trierit interpretojnë në rolet kryesore: Matt Dillon, Bruno Ganz dhe Uma Thurman.

“The House that Jack Built” flet për një vrasës tepër inteligjent, i cili e sheh vrasjen si një formë arti. Filmi i regjisorit danez bazohet përgjithësisht në personazhin e Xhek Kasapit dhe rrëfen me saktësi pjesë të jetës së tij. Xheku (I interpretuar nga Matt Dillon) është vrasës serial me çrregullime obsesive-kompulsive dhe në hark kohor prej 12 vjetësh përshkruan krimet më të tmerrshme, duke u përfshirë në një sfidë në distancë me agjencitë e zbatimit të ligjit.

Filmi horror pushtoi faqet e para të gazetave në Festivalin e Filmit të Kanës, në vitin 2018, kur një turmë shikuesish dolën nga salla pas disa prej skenave më të dhunshme të filmit, por ata që qëndruan, u ngritën në këmbë duke brohoritur në fund të filmit.

Manuel Alberto Claro, një prej drejtorëve të fotografisë më të respektuar të ditëve të sotme dhe që ka punuar në të gjithë filmat e Lars von Trierit që prej vitit 2011, është pjesë e ekipit që punoi me filmin “Shtëpia që ndërtoi Xheku”.

Filmi u shfaq jashtë konkurrimit gjatë Tirana International Film Festival (TIFF 2018), në muajin nëntor, në kinema Millenium.

Historia flet për Jack, një vrasës serial jashtëzakonisht inteligjent dhe përshkruan vrasjet që vërtetë zbulojnë çmendurinë brenda tij./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme