Filmi “Liqeni im” i regjisorit Gjergj Xhuvani shfaqet në “European Film Market”

9 Mars, 2021 - 6:38 pm

Filmi shqiptar  “Liqeni im”, me regji dhe skenar  të regjisorit të mirënjohur Gjergj Xhuvani dhe produksion i shtëpisë kinematografike “On Film Production”, u shfaq gjatë EFM (European Film Market), i cili këtë vit u zhvillua virtualisht për shkak të pandemisë  Covid-19 nga data 1 deri në 5 mars.

Lajmin e ka shpërdarë për artdashësit vetë Qendra Kinematografike Shqiptare

Filmi “Liqeni im” i zhanrit dramë është xhiruar në liqenin e  Prespës së Madhe. Ky film rrëfen historinë e Kristos ku protagonisti jeton në një fshat në buzë të liqenit të Prespës, i cili ndodhet pikërisht në vendin ku kufizohen territoret e Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Kristo është kthyer një kontrabandues marijuane për shkak të vështirësive ekonomike të familjes së tij. Për shkak të njohurive të tij të mira të territorit shqiptar dhe atij maqedonas ai përdor varkën e tij për të transportuar ngarkesa me marijuanë.

Ariton Pollozhani, Tristan Halilaj, Elia Zaharia, Luiza Xhuvani, dhe aktorë të tjerë të huaj, janë pjesë kryesore e kastit të filmit. Ky projekt gjithashtu është votuar në “Euroimages”, si më i miri nga 54 produksione nga 37 vendeve anëtarë në mbledhjen e 150-të të bordit menaxhues të “Euroimages”, të mbajtur më 12 deri 16 mars 2018 në Armeni.

Festivali “Tirana International Film Festival” që u zhvillua më shtator 2020 hapi siparin e konkurrimit pikërisht me premierën e filmit “Liqeni im”. Ky film u shfaq më 19 shtator si një homazh për regjisorin dhe skenaristin Gjergj Xhuvani i cili u nda nga jeta më 14 gusht të vitit 2019 në Romë të Italisë./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme