Filmi “My secret war” pjesë e javës së ndërgjegjësimit për gjenocidin

17 Prill, 2019 - 12:00 pm

Më 16 prill, në kuadër të Javës së Ndërgjegjësimit për Gjenocidin (7th Genocide Awareness Week 2019), mbajtur në Scottsdale Community College të shtetit Arizona të SHBA-ve, me ftesë të drejtorit dhe themeluesit të Konferencës Vjetore për Gjenocidin, profesorit John L. Liffiton, u shfaq filmi i shkurtër artistik “Lufta ime e fshehtë” (My Sekret War) i autores, producentes dhe bartëses së rolit kryesor, Rina Hajra.

Të pranishëm ishin edhe regjisori i filmit Kevin Phipps dhe bashkëproducenti Allen Valor, por jo edhe autorja e filmit, e cila aktualisht gjendet në studime të shkallës së tretë në Ohio State University. Në fjalën e tij të hyrjes, Liffiton, pasi përshëndeti publikun, kryesisht studentë të kolegjit, por edhe të moshuar që kishin mbijetuar holokaustin dhe i njoftoi ata se ishte hera e parë që në këtë konferencë ishte e pranishme Kosova dhe gjenocidi serb kundër shqiptarëve, ftoi në podium pjesëtarë të familjes së autores së filmit, me ç’rast Nora Hajra lexoi një historik të shkurtër të Kosovës që nga lashtësia deri në ditët e sotme, ndërkaq Jeta Hajra foli për përvojën e saj gjatë luftës në Kosovë, që nga fillimet e saj deri në mes të prillit 1999, kur ishte detyruar me familje ta braktiste Kosovën e të vinte në Amerikë.

Pastaj u shfaq filmi me subjekt lufta e fundit në Kosovë, që i përshtatej për mrekulli përmbajtjes së konferencës dhe u ndoq me shumë interesim nga publiku i pranishëm në sallën e Konferencës për Gjenocidin.

Krejt në fund pasuan një mori pyetjesh për anëtarët e familjes Hajra lidhur me përvojën e tyre nga lufta si dhe pyetje për regjisorin dhe për bashkëproducentin për përvojën e tyre gjatë realizimit të filmit.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe Robert Sutz, piktor e skulptor i njohur amerikan me prejardhje polake, familja e babait të të cilit është shfarosur në kampet famëkeqe naziste. Në nderim të babait e të familjes së tij të vrarë në kampet e përqendrimit, që nga viti 2000 zoti Sutz gjithë talentin e tij krijues e ka përqendruar në krijimin e maskave të gjalla të të mbijetuarve të holokaustit dhe në pikturimin e skenave të holokaustit. Pasi dëgjoi rrëfimet për Kosovën dhe për luftën e Kosovës që ia kishte përforcuar edhe më shumë filmi “My secret war”, ai u zotua se shumë shpejt do ta realizojë edhe maskën, skulpturën e një të mbijetuari shqiptar nga lufta e Kosovës. (H.H.) / KultPlus.com

Të ngjajshme