Filmi “Pa vend” me regji të Samir Karahodës përzgjedhet edhe në festivalin prestigjioz ‘Sundance Film Festival’

10 Dhjetor, 2021 - 8:16 pm

Pa Vend nga Samir Karahoda pas Kanës, Torontos dhe Nominimit për Filmin më të mirë të shkurtër Evropian, arrinë të përzgjedhet edhe në festivalin ‘SUNDANCE’, përcjell KultPlus.

Gjithçka filloi nga një përpjekje për të treguar rrëfimin e një grupi entuziastësh që me çdo kusht donin ta mbanin gjallë sportin e pingpongut në Kosovë.

Ky rrëfim i tyre e inspiroi regjisorin Samir Karahoda që ta trajtoj këtë temë nëpërmjet filmit duke i angazhuar protagonistët e njëjtë të rikrijojnë skenat ashtu siç kanë ndodhur në vitet e pasluftës. Protagonistët e entuziazmuar që tregimi i tyre do të rrëfehet e dhanë maksimumin e tyre gjatë produksionit të filmit, që pas përfundimit të xhirimeve arriti ta dërgoj Kosovën në festivalin prestigjioz të Kanës, ku edhe u përzgjedh si kandidat i këtij festivali për Çmimin Vjetor të Akademisë Evropiane të Filmit.

Nesër në Berlin në ceremoninë vjetore të ndarjes së çmimeve filmi ‘PA VEND’ do ta përfaqësoj Kosovën, përsëri si filmi i parë i një regjisori nga Kosova.

Pas premierës botërore filmi e filloj një rrugëtim shumë intenziv nëpër festivale prestigjioze të filmit, duke kulminuar me çmimin kryesor ‘IMDB Pro Short Cuts’ në njërin ndër festivalet më të rëndësishëm në botë ‘Toronto International Film Festival’. Me këtë çmim, ‘Pa vend’ zyrtarisht kualifikohet për kategorinë e filmit të shkurtër për Oscars 2022.

Sot për ekipin e filmit ‘PA VEND’ të Samir Karahodës është përsëri një ditë e veçantë, pasi që filmi është pranuar në programin garues të filmave dokumentar të shkurtër të festivalit më të madh në SHBA, atë të Sundance. Kjo korespondon edhe me 40 vjetorin e themelimit të ‘Sundance Institute’.

Suksesi i filmit është përtej të gjitha pritjeve pasi që ka arritur të përzgjedhet në 3 nga 5 festivalet më të rëndësishme në botë, si dhe ka arritur të fitoj 7 çmime në festivale brenda vetëm 5 muajve. / KultPlus.com

Të ngjajshme