Filmi ‘Përjetësisht Fëmijë’ fiton çmimin ‘Best Short’ në Londër

6 Korrik, 2017 - 10:00 am

Është ky filmi i dytë i shkurtër i Lorena Sopit dhe poashtu çmimi i dytë ndërkombëtar për këtë film, përcjellë KultPlus.

Filmi i metrazhit të shkurtër ‘Përjetësisht Fëmijë’, me skenar e regji të Lorena Sopit, prodhim i AS Film Production dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ka fituar Çmimin e Filmit më të mirë të shkurtër “Best Short Film” në festivalin Gold Movie awards Goddess në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.

Është ky filmi i dytë i shkurtër i Lorena Sopit dhe poashtu çmimi i dytë ndërkombëtar për këtë film. Filmi i parë Mona i cili ka qenë pjesë e më shumë se 40 festivaleve ndërkombëtare, deri më tani ka fituar nëntë çmime kinematografike. Filmi Përjetësisht Fëmijë gjatë muajit korrik do të shfaqet edhe në disa festivale ndërkombëtare. Më datë 12 korrik do të shfaqet në Golden Bridg International Film Festival, i cili do të mbahet në Moskë – Federata Ruse, më datë 14 korrik në Low Film Festival në Sao Paolo të Brazilit, pastaj më datë 15 korrik në The Shortz Film Festival – Chico, California, më 21 korrik në The Accolade Global Film Competition në La Jola- California, për të vazhduar në Regina International Film Festival, i cili do të mbahet në Regina të Kanadasë, në Sunlight International Film Festival , i cili do të mbahet në Moskë, etj.

Filmi Përjetësisht Fëmijë trajton raportin e rrënuar familjar mes babës autoritar dhe fëmjiut të mitur. Moni, një djalë dhjetë vjeçar, jeton me të atin Xhemën në varfëri të madhe. Gjatë një dreke fatale, i ati Xhema vret aksidentalisht djalin e tij, Monin. Gjatë gjithë jetës së tij, Xhema do të ndjenë peshën e mallkimit, duke bartur mbi vete fajin për atë që ka ndodhur. Në ditët e tij të fundit, në moshë të shtyrë, Xhema kthehet në shtëpinë ku ka ndodhur vrasja për të kërkuar falje nga djali i tij i vdekur,me shpresë se do të liroj shpirtin nga pesha e fajit dhe do të pushoj i qetë në jetën e përtejme.
Në rolin kryesor paraqitet aktori i njohur Xhevat Qorraj dhe Miran Zymberaj. Në rolet e tjera vijnë Sheqerije Buqaj, Beslidhe Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi, etj.

Dejtori i fotografisë është Latif Hasolli. Montazhier Nexhmi Mehmeti. Kostumografe Samka Ferri. Mjeshtër zëri Gëzim Rama. Skenograf Uran Duli. Kompozitor Naim Krasniqi. / KultPlus.com

Të ngjajshme